Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur qëndrimin e shtetit shqiptar për të mos qenë në një linjë me deklaratën e Bashkimit Evropian, pas sulmit terrorist nga grupi i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Në një konferencë për media, Rama theksoi se i gjithë rajoni pret sot që BE të dënojë vrasjen e policit Bunjaku.
Ai më tej foli edhe për Qeverinë e Kosovës, për të cilët tha se kanë kusuret e veta në procesin e dialogut, por sipas tij, ato nuk e relativizojnë dot peshën e zhvillimeve të rënda.
Ndërsa edhe një herë, Rama e quajti karshillëk shpalljen e zisë nga ana e Beogradit, ndërsa kërkoi reagimin e Bashkësisë Evropiane sa nuk është vonë.
“Udhëheqja e Kosovës mund të ketë të gjitha kusuret e veta në procesin e dialogut, për të cilat qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë me BE dhe SHBA dhe nuk ndryshon as sot, po asnjë nga ato kusure nuk e relativizon dot peshën e zhvillimeve të rënda. Që nuk krahason me asgjë të keqen të ndodhur mes Kosovës e Serbisë që nga 1999
Jemi para derdhjes së gjakut të pafajshëm, është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës, që nuk vrau veten se pa disa civilë serbë me çifte, por u vra nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë, për të cilët Beogradi shpalli tre ditë zie. Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal, aq edhe institucional nga ana e shtetit serb që kërkon dënim me zë të lartë dhe gjuhë të qartë. Nuk ka nevojë për hetim.
Republika e Kosovës meriton të dëgjojë BE, jo për të shtatat e as të 40 e vdekjes, po sepse këtë e meriton dhe e pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur nga degradimet e hajvanllëkut politik në konfliktet vrastare etnike që kjo histori na ka mësuar se mund të përshkallëzohen në përplasje të armatosur etnike. E kam paralajmëruar prej kohësh, mundësinë e shtjellimit të këtij skenari tragjik e fatkeq, jo se jam më i mençur se të tjerët, as se kam dhunti të lexoj të ardhmen, po thjesht se nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë Botës, dhe aq i mbyllur brenda qerthullit të së shkuarës, saç janë udhëheqësit e sotëm të Kosovës apo Serbisë.
Ndërkohë që të tjerët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë, me thonjtë e krizave në veriun e Kosovës, thjesht i neverisë. Të jeni të gjithë bindur që asgjë nga këto dhe askush nga këta as nuk ma ndryshojnë vizionin as nuk ma lëkundin bindjen dhe as më lëvizin nga pozicioni në istikamin e paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe shpëtimit nga e shkuara që e persekuton këtë rajon prej shekujsh. Mund të vazhdojnë sa të duan, sepse detyra ime është të bëj çmos për paqen dhe bashkëpunimin në rajon dhe njohjen e Kosovës si fryt i paqes”, tha ai.