Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës, ka raportuar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) në terren.
ADVERTISING
Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.
Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist.
Zveçani dhe tri komuna tjera në veri janë të banuara me shumicë serbe.
Në mesditën e së mërkurës, ekipi i REL-it ka vërejtur se fshati është i zbrazët dhe njerëzit kryesisht janë të mbyllur nëpër shtëpi.
Kështu dukej një rrugë në fshatin Banjskë.
Kështu dukej një rrugë në fshatin Banjskë.
Vetëm ekipe të gazetarëve dhe zyrtarët policorë shihen nëpër rrugë.
Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka arritur të flasë me disa banorë.
Ata kanë shprehur frikë dhe kanë thënë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur.
“Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë një banore e nacionalitetit serb në Banjskë, duke iu referuar zhvillime të së dielës në atë fshat.
Sipas saj, situata e së dielës ka qenë më e rëndë sesa e luftës.
“Në errësirën e parë kemi hyrë në shtëpi”, ka thënë ajo për REL-in.
Një tjetër banor i zonës thotë se të shtënat, në natën mes së shtunës dhe të dielës, e kanë zgjuar atë dhe familjen e tij nga gjumi.
“Ka pasur buçima nga të gjitha anët”, tha ai për REL-in.
“Nuk e kemi pasur idenë se çfarë po ndodhte. Vetëm kam pritur kur dikush do të na hyjë në shtëpi. Ishte e tmerrshme”.