Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku pasi një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku.
Musliu është shprehur se që në prill të këtij viti ka treguar se Serbia është duke trajnuar të rinj serbë në Rashkë, për aksione të ndryshme që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
“E kam thënë në prill të këtij viti, kam treguar që grupe të ndryshme të të rinjve serbë janë duke u trajnuar në Rashkë për aksione të ndryshme që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Që nga prilli kemi qenë të informuar për zhvillimet e mundshme dhe thjeshtë për ndjeshmërinë e sigurisë në veri të Kosovës dhe fatkeqësisht rezultoi sot ose të dielën me një tragjedi që, fatmirësisht, u parandalua që të mos jetë e përmasave tjera se çka ishte e planifikuar dhe çka ka qenë e mundur të ndodhte”, ka thënë Musliu.
Sipas saj, nuk guxohet të thuhet se Kosova ka qenë e papërgatitur, apo sulmi e ka zënë në befasi, pasi ka 25 vite që është investuar shumë për profesionalizmin e Policisë dhe AKI-së.
Në atë kohë kur unë e kam thanë deklaratën ka pasë skeptikë që edhe e kanë kritiku deklaratën time, por unë s’e kam thanë pa qëllim dhe të paverifikume, e kam thanë pikërisht sepse iu kam frikësuar një momenti të tillë siç na ndodhi të dielën dhe në momente të tilla s’guxojmë të themi kemi qenë të papërgatitur ose na kanë zanë në befasi, sepse Kosova është shtet qe 15 vite, ndërsa qe 25 vite është investuar shumë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe AKI-së”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së foli edhe për deklartatat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha serbët lokal në veri të Kosovës, u rebeluan kundër kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe duke ngitur barrikada.
“Duhet të jesh jashtëzakonisht naiv ose nuk duhet të kesh lindur ende në këtë gjeneratë, për t’i besuar një propagande të tillë, sepse gjenerata jonë që e ka përjetuar gjenocidin e shtetit serb, e që vetë Aleksandar Vuçiqi ka qenë një nga shërbyesit e atij sistemi, në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk mund t’u besohet deklaratave të Vuçiqit. Unë besoj fuqishëm që prapa skenarit ose përgatitjes së sulmit terrorist ndaj shtetit të Kosovës, qëndrojnë organet shtetërore të Serbisë, të thirrura nga Aleksandër Vuçiqi, por gjithsesi rol kyç në krejt këtë nuk guxojmë ta anashkalojmë edhe Vulinin, pjesëtar në listën e zezë të SHBA-ve ndërsa në Serbi ai udhëheq shërbimin sekret serb dhe ju e dini si e kanë ata qasjen ndaj Kosovës”, ka thënë Musliu në DPT te Fidani.