Dy pjesëtarëve të grupit terrorist Blagoje Spasojeviq dhe Dusan Maksimoviq, Gjykata e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgim prej 1 muaj.Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar sot gjatë ditës kërkesën në Gjykatën përkatëse për caktimin e masës së paraburgimit, për dy të terroristët e arrestuar në Banjskë të Zveçanit, për sulmin që kryen ndaj Policisë së Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.Ndërsa Vladimir Toliq, pjesëtari tjetër që po mjekohet në QKUK po ashtu iu është caktuar masa e paraburgimit.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, në kërkesën e dorëzuar Gjykatës ka thënë se tre të arrestuarit dyshohen për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kryerje të veprave terroriste.Në kërkesë thuhet se të pandehurit Vladimir Tolic dhe Blogoje Spasojevic me një grup personash ende të pa identifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimovic, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.“..si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave” – thuhet në kërkesë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vladimir Tolic aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ndërsa dy të pandehurit e tjerë Dusan Maksimovic dhe Blagoje Spasojevic janë në ndalim në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka propozuar që ndaj tre të pandehurve fillimisht të ju caktohet masa e paraburgimit në afat prej 1 muaj.