Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në veri në fshatin Banjskë është kapur armatim, e pajisje logjistike për qindra individë. Sveçla ka thënë se terroristët dështuan plotësisht, qoftë në aspektin operacional dhe atë politik.
Sveçla ka thënë se ky sulm nuk ka mundur të kryhet pa mbështetjen e dikujt tjetër.
Ai ka thënë se ai dikush tjetër është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shteti i Serbisë.
Sveçla ka thënë se disa prej sulmuesve janë identifikuar si pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, grup që është shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovës.
Sveçla ka thënë se Policia u ka dhënë këtyre grupeve terroriste një goditje fatale të dielën.
Sveçla ka potencuar se operacioni i Policisë do të vazhdojë dhe ka mundësi që terroristët të jenë fshehur në male e po ashtu edhe numri i të vrarëve në mesin e tyre të jetë më i madh.
“Janë dy të uniformuar të arrestuar, kurse tash për tash për çështjen e të arratisurave do të shohim orëve e ditëve në vijim, duke ‘krehur terrenin’, do të dimë saktë se a do të zihen apo do të mund të ikin për në territorin e Serbisë, që besoj se është qëllimi i të arratisurve”, ka thënë Sveçla për transmetuesin publik.