Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se aksioni në Banjskë të Zveçanit po vazhdon ende teksa ka thënë se armët që janë gjetur lidhen me aksionin e Zveçanit që është zhvilluar më herët nga Policia e Kosovës.
“Armët janë të llojllojshme, pas hetimeve do ta keni listën e saktë. Ka disa armë që mund të lidhen me aksionin e Zvecanit, me disa armë jemi ndeshur për herë të parë”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë se shumica e veturave që kanë ardhur janë nga Beogradi teksa ka theksuar se ndonëse hyrjet e terroristëve nga Serbia në Kosovë nuk janë të pamundshme, veprimtaria e tyre tashmë është duke u bërë e pamundshme.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka informata të ndryshme që i verifikon. Ky është një grup terrorist që ka marrë akte terroriste. Kemi një linjë kufitare me reliev të gjatë me Serbinë, hyrjet e terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tashmë është duke u bërë e pamundshme”, ka vijuar Sveçla.