Lidhur me zhvillimet e fundit në veri, me ç’rast mbet i vrarë një Polic i Kosovës dhe një mbet i plagosur nga sulmi i grupit kriminal serb në Banjskë në Zveçan ka pasur shumë reagime.
Një reagim e ka bërë edhe ish-kryetari i Skenderajt dhe një prej figurave kryesore të PDK-së, Sami Lushtaku, shkruan Gazeta Papirus.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Lushtaku i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, Afrim Bunjaku, dhe të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë, ndërsa ka shtuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Me shqetësim po përcjellim zhvillimet e ditës së sotme në veriun e Kosovës, ku është vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse një tjetër pjesëtar i policisë sonë është plagosur nga sulmi i një grupi kriminal serb në Banjskë të Zveçanit.
Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacënueshëm nga çfarëdo sulmi apo ndërhyrje nga jashtë, prandaj është obligim i institucioneve të sigurisë ta ruajnë dhe ta mbrojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë edhe në pjesën veriore.
Mirëpo, institucionet tona duhet ta kenë parasysh se asnjë veprim në këtë pjesë nuk duhet ta bëjnë pa koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë në krye me SHBA-të.
Ngushëllime familjes Bunjaku, kurse të plagosurit i dëshiroj shërim të shpejtë!
/GazetaPapirus/