Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se Isa Mustafa e ka degraduar këtë pari duke i humbur 7 palë zgjedhje pa dhënë dorëheqje.
Ndërsa për kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku, Rugova tha se është i njëjti “brum” politik i Isa Mustafës.
Sipas Rugovës, LDK-ja po i vuan pasojat e lidhjes së koalicionit me PDK-në në vitin 2014, për të cilën thotë se edhe atëherë ka qenë kundër.
“Numrat, statistikat dhe përqindjet në kohën e presidentit Sejdiu dhe zoti Mustafa kanë patur një osilim plus-minus 2-3% që në marzhën e gabimeve të matjeve politike nuk qon peshë shumë. Zgjedhjet e fundit parlamentare thjesht zoti Mustafa e ka degradu LDK-në, i ka humb 7 palë zgjedhje dhe nuk ka pasur kurajo politike të japë dorëheqje morale para njerëzve që thjesht e kanë mbështet e kanë votu LDK-në jo Isa Mustafën. Gafa më e madhe e tij është partneriteti politik me PDK-në, koalicioni i vitit 2014. Kam qenë zyrtari i parë i LDK-së në atë kohë që e kam kritikuar haptas. Jemi duke paguar faturë ende për atë qasje dhe për atë koalicion”, ka thënë Rugova, teksa ka kritikuar edhe sloganin e ri të partisë, “Rruga e Re”.
“Ardhja e Isa Mustafës është pasojë e këtij lidershipi të ri sepse kryetarin aktual të LDK-së e ka sjellë Isa Mustafa, është ‘brum’ politik dhe ideologjik i Isa Mustafës të cilët të them të drejtën janë bërë kryetar të LDK-së pa qenë fare anëtar partie. Ky trend fatkeqësisht po dëgjohet shpesh dhe tani kur është hartuar një program politik dhe elektoral e kanë quajtur ‘Rruga e Re’. Pse ‘Rruga e Re’, LDK, janë 3 shkronja emblemë. Mjaft njerëz kanë hezitime në orientimin e politikave të ardhshme, platformës politike dhe nga po shkon Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Rugova në një intervistë.