Policia e Kosovës dhe dogana kanë gjetur tetë gramë substancë narkotike të llojit kokainë në një veturë me targa të huaja në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.
Sipas policisë substanca është gjetur në një kuti çamçakëzi brenda një çante.
“Gjatë operacionit taktik është ndaluar një veturë me targa të huaja e cila pas nënshtrimit të procedurave të parapara në pikë kufitare, është selektuar për kontroll në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në njoftimin e policisë thuhet se drejtuesi i veturës e ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë.
Tutje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se “lidhur me rastin drejtuesi i mjetit i dyshuari Y. M. (viti i lindjes 2005) dhe pasagjerët me iniciale A. A. (viti i lindjes 2000), N. A. (viti i lindjes 1999) dhe E. O. (viti i lindjes 1999) që të gjithë shtetas të huaj, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ku gjatë intervistimit nën prezencë të avokatit sipas detyrës zyrtare, i dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë”.