Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga New Yorku, është deklaruar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Osmani, theksoi në pritjen zyrtare, do të ketë mundësi që ta falendërojë Bidenin për mbështetjen e vazhdueshme.
“Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me lider të tjerë botëror, takimet do të nisin pas gjysmë ore”.
“Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderojë në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.
Osmani theksoi se në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.