Rreshteri i Policisë së Kosovës, Mehdi Kozhani ka thënë Enver Sekiraqa ka bërë shtytje të qëllimshme dhe të planifikuar tek Arben Berisha, për vrasjen e të ndjerit Triumf Riza.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza.
Për vrasjen e Rizës, Arben Berisha ishte dënuar me 35 vite burgim.
Dëshmitari Kozhani i cili kishte qenë hetues i rastit për vrasjes e Rizës, tha se në bazë të informacioneve që kishin pasur, nuk kishin hasur në ndonjë rast që i ndjeri Riza dhe tashmë i dënuari për vrasjen e tij, Arben Berisha kishin pasur ndonjë konflikt të mëhershëm.
“Kemi vërejtur se Arben Berisha nuk ka pasur ndonjë konflikt të hapur me Triumf Rizën por dyshimet kanë shkuar tu forcu se Sekiraqa e ka përdorur Arbenin për këtë vrasje dhe ka bërë shtytje të qëllimshme dhe të planifikuar. Nga dëshmitë që i kemi parë, Arben Berisha identifikohet si pjesëtar i grupit të tyre, pasi ka pasur edhe ndeja mes tyre dhe në bazë të komunikimeve mes tyre”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari Kozhani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Special Haki Gecaj ka thënë se mbetet pranë pesë deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara për këtë rast.
Ai ka thënë se me 30 gusht 2007, në ditën kur kishte ndodhur vrasja e Rizës, ai kishte qenë në pushim vjetor ndërsa tha se një ditë më pas ishte ngarkuar për të hetuar këtë rast, së bashku me kolegun e tij Burim Osmanin.
Sipas tij, në bazë të informacioneve kishte pasur kontrollë në 2-3 lokacione si, në shtëpinë e të akuzuarit Sekiraqa, shtëpinë e vëllait të tij, në lokalin “Sekiraqa”, në shtëpinë e Rrahim dhe Ilir Abdullahut dhe një lokacion tjetër që sipas dëshmitarit ka mundur të jetë i ndonjë kushëriri të tyre.
Ai ka thënë se vetëm pas disa orësh nga kryerja e vrasjes, ishte marrë vesh se kryesi kishte qenë Arben Berisha, i cili sipas tij, ka qenë pjesëtar i grupit Sekiraqa.
Dëshmitari tha se edhe pse Arben Berisha ishte zbuluar se e kishte kryer vrasjen, për shkak të konfliktit të mëhershëm mes të ndjerit Riza dhe të akuzuarit Sekiraqa, ishin bastisur edhe shtëpia e të akuzuarit dhe shtëpitë e familjarëve të tij.
“Duke pasur parasysh konfliktin mes të ndjerit dhe të akuzuarit, se Triumfi ka kërkuar ndihmë nga Policia, informacionet janë dhënë se Sekiraqa dhe grupi i tij kanë qenë të përfshirë në këtë vrasje”, ka thënë dëshmitari.
Informacionet se grupi i të akuzuarit Sekiraqa kishte qenë i implikuar në vrasjen e Rizës, dëshmitari tha se kishin ardhur nga Drejtoria e Inteligjencës dhe Analizës e cila vazhdimisht merret me informacione të brendshme dhe të jashtme.
Ai tha se çdo polic i Kosovës kishte qenë në dijeni se Sekiraqa kishte qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale.
“Derisa ka ndodhur rasti i vrasjes, nuk kemi trajtuar informacionet për hetimin e Enver Sekiraqës, por në momentin kur ka ndodhur rasti kemi kërkuar nga ky departament informacione dhe i kemi analizuar këto info”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari Kozhani dhe Enver Sekiraqa gjatë seancës të mbajtur të martën.
Ai e përmendi një video incizim i cili gjendet në shkresa të lëndës, që sipas dëshmitarit shihet një aheng në shtëpinë e të akuzuarit Sekiraqa, ku në pjesën e oborrit kishte pasur mysafir ndërsa i dënuari Arben Berisha sipas tij, shihet se kishte qëndruar roje tek dera e hyrjes dhe se kohë pas kohë kishte marrë këshilla nga i akuzuari.
Dëshmitari ka thënë se Arben Berisha ka qëndruar me pjesëtaret e tjerë të grupit si, Ilir dhe Rrahim Abdullahu, ku për këtë të fundit tha se ishte i pranishëm edhe në sallë të gjykimit.
“Rrahimi është arrestu dhe është dënuar, por më pas është liruar si pjesë e grupit, por këtu në sallë e pashë atë, dyshimet se është një pjesëtar i grupit kriminal e dëshmon edhe sot se ai ka ardhur me ndjek procesin e shefit të tij dhe hala më shton dyshimin se këta hala janë tu funksionu”, ka thënë dëshmitari.
Mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi e pyeti dëshmitarin se si ishte e mundur që ndaj grupit të Sekiraqës ashtu siç dëshmitari e kishte quajtur si “grup kriminal”, nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë penale.
“Thash edhe më herët po bazohem vetëm në shkresa zyrtare, Enver Sekiraqa dhe grupin e tij kriminal e kam hetuar unë në 2007, kur ka ndodhur vrasja e Triumf Rizës, raportet e mëhershme kanë quar në atë drejtim, a është dënuar apo jo për ato vepra janë shënimet, me sa e di është dënuar për disa vepra por nuk jam i njoftuar me të gjitha shkresat”, ishe përgjigja e dëshmitarit.
Avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin se sipas tij, cilët ishin pjesëtarët e grupit të Enver Sekiraqës.
Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se pjesë e këtij grupi kishin qenë Rrahim Abdullahu, Ilir Abdullahu i cili sipas tij gjendet në arrati për këtë rast, Fitim Avdiu i cili sipas dëshmitarit ishte dënuar nga gjykata pasi kishte vepruar me Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, por nuk ishte kapur asnjëherë nga policia, Arben Berisha dhe persona të tjerë të cilët tha se nuk i kujtohen.
Bazuar në SMS-të e shkëmbyer mes Rrahim dhe Ilir Abdullahut si dhe Arben Berishës e Fitim Avdiut dhe nga hartografia e lëvizjeve të tyre në ditën e vrasjes, dëshmitari tha se përbënin dyshime se vrasja e Triumf Rizës ka qenë mirë e organizuar nga siç e quajti ai, grupi kriminal Sekiraqa.
Ai ka thënë se sipas informacioneve të mëhershme, Sekiraqa vazhdimisht e kishte kërcënuar dhe ngacmuar të ndjerin Riza, prandaj sipas tij, edhe ishte bastisur lokali dhe shtëpia e tij.
Avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin në lidhje me veprimin e Policisë të cilët sipas saj, dy orë nga vrasja e të ndjerit Riza, akoma pa u zbuluar se kush ishte kryesi i veprës penale, e kishin bastisur lokalin Sekiraqa dhe kishin arrestuar persona të tjerë.
Ajo pyeti nëse ky veprim i Policisë ishte ndërmarrë vetëm në bazë të supozimit policor se askush tjetër përpos Sekiraqës nuk kishte pasur motiv apo arsye tjetër për ta privuar nga jeta të ndjerin Riza.
Po besoj se Policia në këtë rast është dashur më vepru edhe më shpejt se sa ka vepruar, mos shpejtësia e Policisë për të shkuar në vend të ngjarjes sipas informacioneve nga një dëshmitar nga aty janë tërhequr edhe armë nga lokali i Enver Sekiraqës, prandaj Policia nuk është ngutë por është vonuar”, ka thënë dëshmitari.
Pasi dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse i ndjeri Riza kishte kërkuar ndihmë nga Policia, avokatja Kelmendi e ballafaqoi me raportin zyrtar të cilin e kishte përpiluar vet dëshmitari, në të cilin kishte deklaruar se të ndjerit Riza i ishte ofruar mbrojtje nga Policia, mirëpo kërkesa e tij kishte qenë që t’i sigurohet një veturë e blinduar dhe një armë e gjatë M-5, por të cilat Policia nuk kishin mundur t’ia siguronin.
Pas këtij ballafaqimi, dëshmitari ka thënë se qëndron prapa asaj që kishte shkruar në atë raport.
Pasi dëshmitari ka thënë se në orët e para pas vrasjes së Rizës, Policia kishte pasur dyshime se Sekiraqa ishte pista e vetme e dyshimit, avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin se pse hetimi ndaj Sekiraqës ishte filluar pas katër muajsh pas vrasjes së të ndjerit.
“Kemi filluar me njerëzit e arrestuar, derisa sa është ardhur dyshimi se është faktuar edhe për Enver Sekiraqen”, është përgjigjur dëshmitari.
Në lidhje me disa mospërputhje të hartografisë së Enver Sekiraqës në kohën e kryerjes së veprës penale, avokatja e ka pyetur dëshmitarin se si ishte e mundur të figurojë se Sekiraqa në orën 16:14 kishte qenë në Jugoviq, ndërsa në orës 16:18 minuta, apo pas katër minutash në Obiliq.
Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se këto përgjigje mund t’i jep eksperti i kësaj lëmie.
Pasi në procesverbalin e bastisjes së lokalit Sekiraqa në ditën e kryerjes së veprës penale, me 30 gusht 2007, nuk kishte figuruar urdhri verbal i prokurorit, dëshmitari ka thënë se ka pasur urdhër gojor nga gjyqtari i procedurës paraprake, mirëpo sipas tij ka mundur të jetë gabim teknik nga ana e Policisë.
Avokatja Kelmendi e ka pyetur dëshmitarin edhe në lidhje me hetimin që ishte bërë me 21 janar 2015, në të cilin Policia kishin shkuar në shtëpinë e Arben Berishës i cili në atë kohë kishte qenë në vuajtje të dënimit.
“Sa më kujtohet prokurori ndërkombëtar ka vazhdu hetimin ndaj Sekiraqës dhe kemi shkuar dhe kemi verifikuar se çka ka kërkuar prokurori lidhur me koston e shtëpisë e cila ishte ndërtuar. Në kohën kur është kryer vrasja, Arben Berisha ka pasur një shtëpi e cila ka qenë pothuajse duke u rrëzuar. Gabimi i Policisë ka qenë që nuk ka bërë foto, e sot ai duke vuajtur dënimin e ka një shtëpi bukur të mirë”, ka thënë dëshmitari.
Avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin lidhur me një ankesë të familjes Berisha vetëm dy ditë pas vizitës së tij, në të cilën ankesë familja Berisha kishin deklaruar se dëshmitari iu kishte thënë atyre se pse ata si familjar nuk po ndikonin që Arben Berisha të flas në gjykatë lidhur me veprën për të cilën është gjykuar.
“Nuk i komentoj pretendimet e tyre, nuk është e vërtetë kjo që kanë thënë”, ka thënë dëshmitari, sipas të cilit, ka dyshime se familja e Arben Berishës ishte manipuluar.
Dëshmitari është pyetur edhe për personin Rejhan Ismaili, i cili sipas dëshmitarit ishte intervistuar në lidhje me disa para që i kishin ardhur të akuzuarit Sekiraqa nga Spanja, e të cilat i njëjti i kishte tërhequr pjesë-pjesë nga grupi i tij.
Por lidhur me këtë, i akuzuari Sekiraqa ka thënë se kjo nuk ishte e vërtetë pasi sipas tij, ai një muaj para kësaj ngjarje e kishte blerë një lokal në vlerë 113 mijë euro dhe se nuk kishte pasur nevojë të kërkojë para në Spanjë.
Vërejtje në dëshminë e këtij dëshmitari ka paraqitur avokatja Kelmendi, pasi sipas saj, sikurse edhe në tri gjykimet e mëhershme, dëshmitari nuk ka qenë objektiv dhe se më tepër e jep dëshminë e tij mbi bazën e supozimeve e thashethemeve.
Sipas saj, nëse do t’i falej besimi këtij dëshmitari, Gjykata e Apelit nuk do ta kthente rastin në rigjykim.
Edhe i akuzuari Sekiraqa ka paraqitur vërejte në dëshminë e këtij dëshmitari, ngase sipas tij, nëse do t’i falej besimi deklaratës se tij, nuk do të ishin këtu ku ishin sot, por sipas tij rasti do të kryhej në Gjykatën e Apelit.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 24 qershor 2021, në ora 09:30.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.
Prandaj, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të theksojë saktë se cilat ishin veprimet inkriminuese që i akuzuari Sekiraqa i kishte kryer apo jo në këtë çështje penale, si dhe të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të vlerësoj nëse këto prova të mbledhura gjatë kontrollimit të lokalit ishin të pranueshme.
Po ashtu, kjo gjykatë kishte udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli lidhur me rolin e Sekiraqës në grupin e tij, për njerëzit që i bindeshin urdhrave të Sekiraqës dhe se si ai i ngarkonte me detyra dëshmitarët Canolli dhe Xhafer Bislimi.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”. Por, ai aktgjykim ishte anuluar pas ankesave dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg./Betimi për Drejtësi