Shërbimi sekret ruso-serb po vlerësohet së është i përfshirë në sjelljen e tifozëve rumunë më 12 shtator, ku edhe u zhvillua ndeshja në mes përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Rumanisë, në të cilën u panë banerët me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe “Serbia është Rumani”.
Nga Instituti Octopus vlerësojnë se qëllimi kryesor i këtyre pankartave, ka qenë provokimi i ekipit të përfaqësueses së Kosovës, derisa potencojnë se UEFA, do të duhej të ishte më e ashpër në vendimmarrje.
Hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus, Taulant Elshani për KosovaPress, tha se gjatë hulumtimeve kanë evidentuar elemente të mjaftueshme që çojnë në dyshimet se shërbimi sekret ruso-serb, është i përfshirë në shfaqjen dhe përmbajtjen e këtyre banerëve.
“Marrë parasysh pompozitetin dhe përmbajtjen e pankartave ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Serbia është Rumani’, neve na ka çuar që të hulumtojmë më thellë për përmbajtjen dhe mënyrën se si janë sjellë këto banerë. Dhe ne kemi evidentuar përfshirje të elementeve të ndryshme të shërbimeve të fshehta të Rusisë dhe Serbisë, dhe dyshojmë që ka një përfshirje të thellë. Duke marrë parasysh lidhjen e tifogrupit ‘Ultras Tricolorii’ rumun, politikani djathtist George Simion, si dhe partisë së tij me shërbimet sekrete ruse. Për George Simionin i cili ka lidhje me ‘Ultras Tricolorii’, dhe bashkëpunim me këtë grup që ka bërë edhe veprime huligane në disa ndeshje sportive, ka lidhje të dëshmuara me shërbimin sekret rus. Pra, gjithë kjo na ka bërë që të hulumtojmë më thellë dhe t’i evidentojmë këto lidhje”, tha Elshani.
Elshani potencoi se mënyra se si kanë vepruar tifozët rumunë në këtë ndeshje ka qenë shumë e ngjashme me sjelljen e tifozëve serbë.