Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Por, që nga 1 janari e deri më 31 gusht 2023 Kosova ka shpenzuar 5 milionë e 485 mijë e 800 euro për mbrojtjen e të akuzuarve që po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Buxheti i ndarë nga Ministria e Drejtësisë për vitin 2023 është 7 milionë dhe sipas tyre Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konformë nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Analistët politikë ndajnë mendime të ndryshme sa i përket shumës së shpenzuar për të akuzuarit.
Haziri: Do të jetë e dhimbshme se në fund do ta kuptojmë se kemi paguar me taksat tona mbrojtjen e vrasësve apo urdhërdhënësve
Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se shpenzimet e qeverisë për mbrojtje është vendim i trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Shpenzimet e qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, është një vendim i trashëguar nga qeveritë e kaluara, dhe është bërë praktikë ballkanike që nga Gjykata e Hagës për krime luftë në ish-Jugosllavi, kur shtetet që ishin të involvuara në luftë gjatë shpërbërjes së ish-RSFJ-së, dikur ish-republika të kësaj federate, kanë financuar mbrojtjen e të akuzuarve nga radikalët e tyre”, deklaron Haziri.
Ai thotë se buxheti i paraparë për vitin 2023 për të akuzuarit është barrë e rëndë për Kosovën dhe kjo barrë mund të rëndohet pasi pritet që procesit gjyqësor të zgjas.
Sipas Hazirit, do të jetë më e dhimbshme kur të kuptohet se me taksat e qytetarëve mbrohen vrasësit apo urdhërdhënësit për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara.
ImageAnalisti politik, Nexhat HaziriFOTO GALERI
“Sa i përket Buxheti për vitin 2023 për këtë çështje shkon deri në 7 milionë, padyshim se është një barrë e rëndë për Kosovën dhe buxhetin e saj edhe ashtu të varfëruar, dhe kjo barrë e shpenzimeve do të rëndohet pasi procesi gjyqësor në Gjykatën e Hagës pritet të zgjas nga 7 deri në 8 vite. Por tani jemi para një fakti të kryer, edhe pse do të jetë e dhimbshme se në fund do ta kuptojmë se kemi paguar me taksat tona mbrojtjen e vrasësve apo urdhërdhënësve për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë si kol. Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Ismail Berbatovcin, Shefki Popovën e të tjerë, dhe kjo nuk do ta bëjë të ndihet mirë asnjë qytetar të Kosovës”, thekson Haziri.
Sipas të dhënave, vlera e mjeteve buxhetore të shpenzuara për vitin 2023 për vizitat e familjarëve ka qenë 96 mijë e 808 euro e 82 centë.
Mjetet më të mëdha për mbrojtje janë shpenzuar për Jakup Krasniqin, në vlerë prej 1 milion e 100 mijë eurove, pasuar nga Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli në vlerë nga 880 mijë euro.
Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka shpenzuar 821 mijë e 820 euro, për Pjetër Shalën 675 mijë euro, për Salih Mustafën 484 mijë euro, për Hysni Gucatin 363 mijë euro dhe Nasim Haradinajn 282 mijë euro.
Derisa në mjetet buxhetore për familjarët e të akuzuarve, të cilët i kanë vizituar të njëjtit në selinë e paraburgimit në Hagë, sipas përgjigjes së MD-së janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushqimi.
Për familjen e Hysni Gucatit janë shpenzuar mjete buxhetore në vlerë prej 19 mijë e 566 euro e 59 centë, për familjen e Rexhep Selimit janë shpenzuar 17 mijë e 650 euro e 32 centë, për familjen e Nasim Haradinajt janë shpenzuar 17 mijë e 114 euro e 42 centë.
Kurse, për familjarët e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 16 mijë e 895 euro e 30 centë, për familjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 14 mijë 111 euro e 60 centë, për familjen e Salih Mustafës janë shpenzuar 7 mijë e 293 e 59 centë dhe për familjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 4 mijë e 177 euro.
Ndërsa, familja e ish-presidentit Thaçi sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizita.
Duhanaj: Për popujt e emancipuar dhe liridashës, liria nuk ka çmim
Kurse, sipas analistit politik Leon Duhanaj, liria nuk ka çmim.
ImageLeon DuhanajFOTO GALERI
Ai thotë se beteja e krerëve të UÇK-së me drejtësinë ndërkombëtare duhet të trajtohet si betejë e Kosovës dhe e shqiptarëve.
“Për popujt e emancipuar dhe liridashës, liria nuk ka çmim. Kosova ka qenë për gjashtë shekuj nën robëri, osmane e pastaj sllave. Fatmirësisht, falë sakrificës kolektive, luftës së UÇK-së dhe gjakut të derdhur, sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë që kemi. Beteja e krerëve të UÇK-së me drejtësinë, ndërkombëtare, e bazuar kryesisht mbi akuza të supozuara pa fakte dhe të projektuara në kuzhinat e prokurorisë serbe, është dhe duhet të trajtohet si betejë e Kosovës dhe shqiptarëve. Vetë mënyra se si është ndërtuar aktakuza dhe sa gjatë ka dominuar opinionin ndërkombëtarë, për të rënë në fund si akuzë e shpikje veç sa për ta dëmtuar imazhin e shqiptarëve, tregon shumë se në ketë betejë, nuk po luhet me lojë korrekte”, thotë Duhanaj.
Tutje, sipas tij, nuk duhet të bëhet fjalë kostoja për mbrojtjen e drejtësisë kombëtare, sepse në një gjykim të mundshëm do të gjykohej Kosova.
“Pa e marrë parasysh se kush dhe si e votoi, apo themeloi Gjykatën, aty tash ka luftë interesash politike, të cilën Serbia me aleatet e saj, mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht. Serbisë nuk i intereson fati i të akuzuarve, por fati i Kosovës. Prandaj akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, i ka projektuar, në mënyrë që përmes tyre ta demonstrojë UÇK-së, Kosovën dhe luftën tonë për liri. Prandaj, as që do duhet të bëhej fjalë kostoja për mbrojtjen e drejtësisë kombëtare, sepse në një gjykim të mundshëm do të gjykohej Kosova. Do të gjykohej UÇK- ja. Do të gjykohej lufta dhe gjaku i derdhur për liri. Do të gjykohen shqiptarët”, shton Duhanaj.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS-së se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë. Për krime lufte po gjykohet pranë kësaj gjykate edhe i akuzuari Pjetër Shala.
Kurse, Salih Mustafa nga shkalla e parë është dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.
Ndërsa, me akuzat për pengim në administrimin e drejtësisë ishin ngarkuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët edhe janë gjetur fajtorë për këto vepra penale, duke u dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro.