Policia e Kosovës ka arrestuar sot në flagrancë personin me inicialet Xh.P. nën dyshimet se ka kryer veprat penale mashtrim dhe prezantim i rremë si person zyrtar.
I dyshuari në vazhdimësi ka mashtruar palët duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qëllim të përfitimit material.
Ai u ka thëne palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por që ai ishte në gjendje t’i rregullonte këto raste nëse pala ankuese pranonte t’i jepte ryshfet 30 mijë euro
Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve relevante sot ka ndërmarrë një sërë veprimesh profesionale duke zbatuar edhe urdhëresën e gjykatës kompetente, ku është bërë simulimi i veprës penale, me ç’rast është kryer dhënia e mjeteve monetare të dyshuarit në vlerë 11 mijë euro, ndërsa i dyshuari ka kërkuar edhe mjete tjera që t’i pranojë gjatë dy ditëve në vijim.
I dyshuari është intervistuar nga policia dhe me urdhër të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.