Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimit të sotëm në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, ka thënë se ka prezantuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Pika e parë në udhërrëfyesin e propozuar nga Kurti është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur e cila duhet të jetë e kompletuar prej të dy palëve.
Tutje, në dokumentin e shpërndarë nga Kurti, si pikë e dytë nga neni 7 i aneksit të Ohrit thotë se ekipi menaxhues i Kosovës paraqet draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Më tej Kurti sjell aspektet politike të Marrëveshjes Bazë ku Serbisë i kërkohet të pranojë dokumentet, simbolet shtetërore, kombëtare, vulat doganore, targat, pasaportat etj.
Në paragrafin e gjashtë, Kurti propozon të nisin negociatat mbi procesin e Statutit të instrumentit për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës, përkatësisht Asociacioni i Komunavetë banuara me shumicë serbe.
Më tej ai propozon që palët të zotohen për mospërdorim të forcës ndaj njëra tjetrës, si dhe për zotim për mosndërhyrje në punët e brendshme në në territoret respektive. Ku përveç tjerash, Kurti i kërkoi Serbisë edhe “demarkacion të kufijve brenda 2 viteve”.
“Kosova dhe Serbia zbatojnë bashkëpunimin normal dhe për fqinjësi të mirë dhe angazhohen në komunikim të rregullt qeveri-qeveri për të ndjekur raporte miqësore bilaterale. Të dyja palët miratojnë sjelljen e duhur ndërshtetërore dhe fjalori i zyrtarëve publikë duhet të pasqyrojë në letrën dhe frymën e Marrëveshjes Bazike, duke përfshirë përmirësimin që t’i referohen Kosovës dhe Serbisë dhe të ndërpresin referencën për Prishtinë dhe Beograd apo me ndonjë emërtim tjetër. Të dyja palët marrin një qëndrim miqësor dhe ndërpresin çdo përpjekje përçarëse ose dëmtuese të palës tjetër në të gjitha fushat, përfshirë bojkotimin e ngjarjeve ndërkombëtare. Fundi i çdo përdorimi të asimetrisë në nivel dypalësh dhe shumëpalësh – përfundimi i përdorimit të fusnotës”.