Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka folur lidhur me kërkesën e partive opozitare për dorëheqjen e saj pas arrestimeve të zyrtarëve të këtij dikasteri.
Hajdari largoi dyshimet për një dorëheqje të mundshme, pasi siç tha ajo, nuk ka ndonjë arsye për ta bërë një gjë të tillë.
“Që nga dita e parë opozita kërkon dorëheqjen time. A jemi ardhur ne për t’i realizuar dëshirat e opozitës për tu dorëhequr ministrat, apo për të kryer një program të qeverisjes së mirë. Ne asnjëherë nuk mund të jemi në plotësim të dëshirave të opozitës, por nëse ka ndodhur një problem që është në përgjegjësinë time, atëherë normalisht që unë e marr si përgjegjësi profesionale. Pra, nuk ka arsye dhe nuk do të jap dorëheqje”, deklaroi Hajdari në emisionin “Këndi i Debatit”, të Tëvë1.
Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti, përkundër këtyre thirrjeve i ka dalë në mbështetje të plotë ministres Hajdari, duke thënë se ka besim në të.