Para pak minutash në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale ka nisur dëshminë Doug Young, dëshmitar ndërkombëtar i Prokurorisë së Specializuar, i 25-ti me radhë.
Young i cili është ish oficer i ushtrisë britanike kishte shërbyer në Kosovë në kuadër të Misionit Vëzhgues Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar e më pas edhe në misionin e OSBE-së, për t’u kthyer edhe njëherë në Kosovë pas luftës si pjesë e KFOR-it, në kuadër të së cilit mision, siç deklaroi Young në krye të herës ka ndihmuar në krijimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Douglas Young, sipas Prokurores Deborah Mayer ka bashkëpunuar me UÇK-në për gjetjen e personave të rrëmbyer nga UÇK-ja dhe kthimin e tyre. Ky dëshmitar është i treti ndërkombëtar i ZPS-së, pas këshilltarit dhe ish raportuesit të Humans Right Watch, Frederick Abrahams dhe ish oficerit britanik të inteligjencës Frank Ledwidge të cilët poashtu kanë dëshmuar në seanca të hapura për publikun.
Dëshmia e Young pritet të zgjasë së paku edhe të enjten, pas përfundimit të pyetjeve rreth 1 orë nga Prokurorja Mayer dhe kundërpyetjeve nga ekipet mbrojtëse në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.