Pas hartimit të Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të Komunës nga funksioni, analistët thonë se ky proces mund të zgjasë shumë, ndërsa theksojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të vendit.
Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të përshpejtohen proceset, derisa shtuan se dorëheqja e tyre do të jetë kërkesë e BE-së edhe në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.
Udhëzimi administrativ i hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për përcaktimin e procedurës së inicimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, nuk po shihet si zgjidhje e duhur nga analistët në Kosovë.
Analisti Artan Muhaxhiri, tha për Radio Kosovën se ky është një hap i rëndësishëm, por zgjidhja më e mirë do të ishte që kjo çështje të përfundonte me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri të vendit.
“Edhe ata janë të vetëdijshëm për mungesën e legjitimitetit të plotë, për shkak të procesit zgjedhor, kështu që shumë më lehtë do të ishte që ata të dorëhiqeshin. Edhe përkundër udhëzimit administrativ, ka shumë elemente teknike dhe kërkohet një infrastrukturë shumë e gjerë që të sigurohet nga shteti i Kosovës, në mënyrë që të kemi një proces zgjedhor normal dhe të suksesshëm. Të gjithë sytë janë të drejtuar nga Qeveria e Kosovës, pasi zgjedhjet do të organizohen në territorin e Kosovës, prandaj edhe Qeveria është përgjegjësja kryesore për këto zgjedhje, normalisht me pjesën e ndikimit edhe të Beogradit”, tha ai.
Ndërkohë, sipas analistit Blerim Burjani, organizimi i një peticioni për zgjedhjet në veri të vendit është procedurë shumë më e gjatë dhe zgjidhja më e mirë është që kryetarët e komunave të japin dorëheqje. Ai theksoi se kjo do të jetë kërkesë e BE-së ndaj kryeministrit Kurti edhe në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.
“Ata nuk merren me udhëzim administrativ edhe nuk iu intereson fare nëse është aprovuar, pasi deri më tani nuk ka pasur reagim pozitiv si nga BE, ashtu edhe nga ShBA-ja. Ka mundur të shkohet edhe pa udhëzim administrativ, pasi ky udhëzim nuk u shërben atyre për të zgjidhur problemin në veri. Rruga më e drejtë për të shkuar drejt zgjidhjes, qeveria duhet të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve në veri. Nëse ata japin dorëheqje sa më parë, zgjidhet kjo punë, pastaj mbeten temat e tjera dhe mbetet që dialogu të fillojë nga zeroja edhe njëherë. BE, edhe në takimin e 14 shtatorit do të kërkojë nga kryeministri Kurti dorëheqjen e kryetarëve të komunave për të lehtësuar procesin. Pra, presioni do të bëhet ndaj Kurtit”, tha ai.
Udhëzimi administrativ i hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind të votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse.