Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë duke i lënë anash pak skandalet e veta ka gjetur kohë dhe ka reaguar lidhur me arrestimet e tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vetëvendosje ka thënë se përgjegjësia bie mbi Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, të cilin e kanë akuzuar për veprime të paligjshme.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndrruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, kanë deklaruar nga kjo parti.
Nga VV’ja kanë thënë se janë të bindur se për këto arrestime nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të arrestuar, por se kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë.
“Kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që rastin në fjalë, por edhe rastet e tjera të sinjalizuara e të denoncuara, t’i trajtojnë me prioritet e profesionalizem maksimal dhe t’i sjellin para përgjegjësisë të gjitha ata që në çfarë do mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e për interesa personale e partiake, familjare e klanore. Nepotizmi, korrupsioni, keqpërdorimet, hajnia, paligjshmëria e pabarazia nuk janë as të pranueshme e as të lejueshme. Prishtina dhe qytetarët e Prishtinës duan dhe meritojnë qeverisje të pastër e të drejtë”, thuhet në reagim.