Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka dhënë një intervistë për mediumin serb “Danas” ku foli mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për serbët e Kosovës.
Në një nga përgjigjet, Bislimi tha se pritet nga Bashkimi Europian që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese për të krijuar barazinë mes palëve para takimit të 14 shtatorit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq..
“Në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, ka thënë Bislimi.
“Në lidhje me sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj Qeverisë në Prishtinë, në çfarë drejtimi mund të presim vazhdimin e dialogut dhe nëse kemi ndonjë dialog, i cili do të mund të zgjidhte shumë probleme që padyshim janë “të pëlqyeshme” për mbijetesën politike të Kryeministrit të Kosovës, por edhe të presidentit serb?”, ishte pyetja e Danasit.
“Dialogu është shumëplanësh, por sipas mendimit tonë ai duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj.
Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij. Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë. Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator. Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë.
Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, u përgjigj Bislimi.
Bislimi për mediumin serb tha se Kosova dëshiron që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë dhe shtoi se institucionet kosovare duan të jenë më afër serbëve, por se Beogradi ndërhyn.
“Ne dëshirojmë që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë, por të paktën nuk ka tensione. Ne do të donim të jemi më afër qytetarëve tanë atje, por Beogradi i minon këto përpjekje dhe i pengon serbët e Kosovës të përdorin shërbimet dhe të gëzojnë të drejtat që u takojnë”, ka thënë ai.
Bislimi shtoi se ka qenë dhe është ende synimi i Serbisë që ta portretizojë Kosovën si një shtet të dështuar dhe institucionet e saj si të paaftë, madje edhe të pavullnetshme për të integruar pakicën serbe, gjë që thjesht nuk është e vërtetë.
Ai akuzoi Serbinë se po i sakrifikon qytetarët serbë të Kosovës për të arritur këto qëllime.
“Në këtë drejtim, Serbia nuk përmbahet të sakrifikojë serbët e Kosovës në përpjekje për ta vërtetuar këtë. Vakumi i sigurisë dhe institucional i krijuar më 5 nëntor supozohej t’i shërbente këtij objektivi. Ne jemi të vetëdijshëm që kryetarët aktualë nuk gëzojnë legjitimitet të plotë, por kemi bërë çdo përpjekje të mundshme duke përfshirë shtyrjen e afatit të zgjedhjeve dhe më vonë edhe të afatit për regjistrimin e partive për të siguruar që përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë të garonin për këto zyra. Vakumi institucional nuk i shërben askujt.
E njëjta gjë me policinë, një qytetar që ka nevojë për mbrojtje duhet të jetë në gjendje të thërrasë policinë për ndihmë. Kosova është shtet multietnik, në këtë drejtim, synimi ynë është të sigurojmë që anëtarët e komunitetit të integrohen institucionalisht.
Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e policëve serbë nuk ngjall besim të mjaftueshëm dhe po bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë, por kjo nuk mund të bëhet pa parandalimin e presionit dhe frikësimit të vazhdueshëm të Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës të cilët vendosin t’i bashkohen Policisë së Kosovës”