Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të sotëm tha se të mërkurën ose të enjten në Bruksel do të bisedojë me siç i referohet ai “administratën e Prishtinës” dhe se problemet po grumbullohen.
Ai iu referua aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në fabrikën “Ivo Lola Ribar” në Zubin Potok, duke thënë se vjen një ditë pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se pret konsultime për të gjitha veprimet e FSK-së dhe Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në situatën e sigurisë.
“E kanë sekuestruar, e kanë vulosur, është fabrikë e vjetër, nuk ka mjete të reja. Dëshira e tyre është të tregojnë se nuk ka kufij për ta”, tha ai dhe shtoi se arrestimet e serbëve, siç tha ai, për krime të vjetra kanë vazhduar.
“Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, ka pasur 401 sulme ndaj serbëve dhe se janë bërë 41 tentime për përshkallëzimin e krizës në veri, por edhe se ka pasur 15 sulme ndaj fëmijëve serbë”, tha ai.
Ai po ashtu ka thënë se nga autoambulancat janë konfiskuar mallra, si dhe ka pasur sulme të drejtpërdrejta ndaj punonjësve të shërbimit shëndetësor, si dhe është tentuar që të ndërpritet puna e shëndetësisë serbe në Kosovë.