Yll i Zvicrës Xherdan Shaqiri ka folur për “Blick” para ndeshjes me Kosovën, e cila zhvillohet të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
Ai fillimisht tha se nëse shënon nuk do të festojë golin, ndërsa shtoi se pret fishkëllima, por në përgjithësi do të kalojnë mirë në Kosovë.
“Unë jam sportist, do të jap çdo gjë për Zvicrën. Por, për respekt ndaj Kosovës, nuk do të festoj në rast të shënimit të golit. Këtë gjë mund ta bëjnë kolegët e mi”.
“Jam i bindur se do të pritemi pozitivisht. Nuk kemi pse frikësohemi se do të fishkëllehemi gjatë shëtitjeve para ndeshjes. Mirëpo, mund të llogarisim se do të fishkëllehemi nga një numër i vogël i njerëzve gjatë ndeshjes. Atmosfera do të jetë ndryshe nga miqësorja e vitit të kaluar në Zurich”, ka thënë fillimisht Shaqiri për “Blick”.
Familja Shaqiri vjen nga Zhegra e Gjilanit dhe ylli shqiptar i futbollit thotë se shumë familjarë të tij do të jenë në stadium, pasi i kanë kërkuar mbi 50 bileta për këtë ndeshje, ku konfirmon se ato i ka siguruar.
‘Shaqa’ ka zbuluar me shaka se ka pasur edhe kërkesa të llojit që të mos shënojë ndaj Kosovës.
“Unë isha një vjeç, kur me familjen u larguam për në Zvicër shkaku i luftës. Por, dy prindërit e mi kanë nëntë vëllezër e motra, mund të paramendoni se sa familjarë do të jenë në ndeshjen e të shtunës”.
“Deri 50 kërkesa për bileta kam pranuar dhe për fat të mirë kam arritur t’i plotësojë ato. Për shumë prej tyre, për shkak të vizave, nuk është e mundur të vinë për të shikuar një ndeshje në SHBA apo Evropën Perëndimore. Unë gëzohem se do t’i shoh njerëzit e mi. Shpresoj që familja të jetë më me rëndësi sesa nacionaliteti dhe familjarët të më përkrahin. Por, mbi të gjitha duhet ta shijojnë ndeshjen. Shumë më kanë shkruar, që të mos shënoj gol”, ka treguar Shaqiri.
Në fund ai ka treguar se pse nuk ka vendosur të luajë për Kosovën, duke konfirmuar bisedimet që i kishte në atë kohë me FFK-në.
“Kur Federata e Kosovës u pranua në vitin 2016 për të luajtur ndeshje zyrtare, u gëzova shumë, para së gjithash për njerëzit dhe vendin. Ka pasur mundësi që lojtarët me rrënjë nga Kosova të ndryshojnë kombëtaren. Isha në bisedime me zyrtarët atëbotë. Por, më pas erdhi Evropiani me Zvicrën. Dhe për shkak se luajta, u zgjidh kjo çështje automatikisht”, ka përfunduar Shaqiri.