Hipokrizi i ka quajtur akuzat e opozitës për mossigurimin e librave për nxënësit e shkollave fillore, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të martën në një intervistë në “Konfront” të KTV-së.
Nagavci ka thënë se ajo akuzohet vazhdimisht “sepse kam prishur atë që për vite ka ndodhur” me shpërndarjen e librave, duke aluduar në keqpërdorime.
“Në parim, ne e kemi larguar vendimmarrjen nga dy apo tre persona në Ministri dhe e kemi shpërndarë në të gjitha shkollat. Gjatë gjithë mandatit tim, me vetëdije, nuk kam bërë asnjë veprim apo vendim që e dëmton buxhetin e shtetit apo interesin e fëmijëve. Mund të kem prishur struktura të caktuara, por është obligimi im që të marrë vendime në të mirë të fëmijëve. Praktika që të përfundojnë librat në stoqe do të përfundojnë një herë e mirë”, ka thënë ajo, duke iu përgjigjur akuzave të shumta nga opozita që e fajësuan për dështimin e sigurimit të librave për nxënësit.
Nagavci ka thënë se edhe në seancën parlamentare të hënën, që u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë opozitare, sipas saj, dhanë dezinformata.
Ministrja e Arsimit ka thënë se nuk ka shkollë që nuk ka nisur mësimin për shkak të librave.