Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni zyrtare në Tiranë nga homologu Bajram Begaj, me të cilin kanë pasur takim, ndërkaq tashmë janë duke mbajtur konferencë për media.
Osmani foli edhe për dialogun dhe tensionet në veri, duke thënë se Serbia vazhdimisht e sulmon Kosovën dhe nuk ka javë që nuk gjuajnë me armë policët tanë.
“Relacionet janë të shkëlqyeshme. Herë i quajmë vëllazërore, por mua më pëlqen t’i quaj relacione mes motrash. Mund të fuqizohen edhe më tej dhe do ta rrisim koordinimin. Është në interes të kombit, të dyja shteteve. Mungesa e paqes, ndikon në mungesë të stabilitetit në Ballkanin.
Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë –Serbi. Është Serbia ajo që acaron, me sulme të njëpasnjëshme. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me policët e Kosovës.
Serbia vazhdimisht fut armatim ilegalisht në veri të Kosovës, vazhdimisht i terrorizon qytetarët në veri. Kjo është sfidë për rajonin”, tha Osmani.
/GazetaPapirus/