Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka reaguar pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë.
Mandl e ka falënderuar atë për nismën, ndërsa ka thënë se shtyrja e liberalizimit do të ishte gabim historik.
“Më vjen mirë që ndoqët nismën time Viola. Të njëjtën gjë e bëri Andrey Kovatchev, Andreas Schieder dhe Ilhan Kyuchyuk. U jam mirënjohës për këtë. Kjo është nismë ndërpartiake. Do të ishte gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, Parlamenti Evropian para disa muajsh ka njoftuar se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024.
“Pritja ka përfunduar: populli i Kosovës mund të udhëtojë pa viza në BE. Kosovarët do të lejohen të udhëtojnë në BE pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë. Parlamenti ka miratuar marrëveshjen për udhëtimin pa viza që pritet të hyjë në fuqi më së voni deri në vitin 2024″, thuhet në njoftimin e Parlamentit Evropian