Meshar Selimaj, avokati i familjes së 35-vjeçares që shkoi për ta hequr dhëmbin në Malishevë e iu komplikua gjendja ka treguar versionin e tij rreth këtij rasti.
Selimaj ka thënë se është ende shumë herët të jepen detaje pa u parë raporti i autopsisë.
“Nuk mund të them detaje, duhet pritur raporti i autopsisë, i cili do të rishikohet nga ana e IML-së, përveç faktit që e di se ka shkuar në atë klinikë dhe e ka marrë atë mjekim, rëndon dyshimi për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Momentalisht organet përgjegjëse janë duke e trajtuar rastin me korrektësi. Jemi në stadin fillestar, prokurorja e rastit po e bën punën e vet.Unë kam besim te prokurorja e rastit e cila e bart këtë lëndë, do ta shohim epilogun se si do të vazhdojë ky rast penal”, ka thënë Selimaj, për RTV Dukagjini.
Ndër të tjera, ai ka thënë se pacientja ka shkuar rastësisht në atë klinikë, pasi djali i saj për ta marrë një infuzion dhe me atë rast pastaj ka hyrë ta mjekojë dhëmbin.
Në lidhje me deklaratat e mbrojtjes të të dyshuarve që thonë se mjeku ka kryer “protokollin shëndetësor”, ai ka thënë se “mendoj se janë pretendime të hershme nga ana e mbrojtjes, e kuptoj natyrën e tyre, në këtë moment duhet të rezervohemi”.
Sipas tij, ndonëse është herët të thuhet, “i pandehuri në këtë rast nuk ka ndërmarrë veprime të duhura, nuk i ka dhënë shërbimin e nevojshëm e cila do të kishte pasur si rrjedhojë shpëtimin e jetës së saj, me sa e kuptoj nuk i ka dhënë medikamentin e duhur anti-shok”.
Ndryshe, ditë më herët, Besnik Berisha, avokati mbrojtës i të dyshuarit për këtë rast, në emisionin “FIVE” ka dhënë edhe një këndvështrim në lidhje me rastin e 35-vjeçares, e cila vdiq në Malishevë pasi shkoi për ta trajtuar dhëmbin e pastaj iu komplikua gjendja.
Sipas avokatit, doktori i cili u arrestua për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”, është i licencuar.
Për të njëjtin, nga ministria e Shëndetësisë është thënë se ka ushtruar veprimtari ilegale.
“Ideja është që ky rast mund të ndodhë në Berlin e Vjenë, është për shkak se pacientja, e ndjera, ka qenë alergjike në një anestezion lokal. Kur i është dhënë para heqjes së dhëmbit, i ka shkaktuar alergji, doktori i licencuar, kur është përballë me këtë reaksion, e ka administruar me terapinë e antishokut, e ka pranuar. Ka licencë, mund ta publikoj, jo sikurse është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe në media”, ka thënë Berisha.
Më 22 gusht, një grua rreth 35 vjeç është paraqitur për ta hequr një dhëmb në një klinikë në Malishevë, por i është komplikuar gjendja shëndetësore për çka është dërguar në QKUK.
Drejtori i Qendrës Emergjente në QKUK, Naser Syla, e kishte konfirmuar se viktima është dërguar pa shenja jete në QKUK