Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja po e favorizon Serbinë. Ai mendon se emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit, pavarësisht fakteve të qarta kundër”.
Së fundmi ambasadori Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisëm Millosh Vuçeviq. Hill nuk i kishte vlerësuar se destabilizuese deklaratat e Vuçeviqit se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.
Eksperti për Ballkanin, Serwer, thotë se mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviqit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.
“Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë deris në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazias “Pobjeda”.
Serwer ka thënë se Washingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimi i Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.
Serwer beson se arsye për këtë janë Escobar dhe Hill.
“Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë”, tha Serwer.
Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë si dhe nga kongresistë e senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh,
“Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer.
Serwer thotë se duhet më tepër presion.
Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, të cilën po e promovon haptazi ambasadori amerikan Hill, Serwer beson se kjo është dëshmi tjetër e politikës së butë të SHBA-së karshi Serbisë.
“Përkrahja për ‘Ballkanin e Hapur’ ishte pjesë e politikës së butë”, tha Serwer.
Sa i përket letrës që i ka dërguar ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ambasadorit amerikan Hill, Serwer thotë se Vlahoviq ka të drejtë.
Vlahoviq tha se politika aktuale është duke destabilizuar Ballkanin.
/GazetaPapirus/