Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, në një postim në Facebook, i ka reaguar me nervozizëm opozitës lidhur me shqetësimet e tyre për paralajmërimet e Macron-it se çështja e vizave për Kosovën mund të rishikohet nëse nuk ka përkushtim për de-përshkallëzimin e situatës në veri.
Shqetësimin e opozitës lidhur më këtë çështjes, Kadiu ka thënë se e ka të vështirë për ta besuar duke i akuzuar partitë opozitare se ishin ata që “lanë këtë proces të bllokuar”.
Postimi i plotë:
Paradoksal shqetësimi i partive opozitare e alarmi i tyre për liberalizimin e vizave. Këta që herë thonin ka ndodh dje, herë pardje, që mashtruan e thanë shumë të pavërteta, e dhanë premtime e shfaqje boshe.
Një brengë e vështirë për t’u besuar, duke qenë se vjen nga ata që e lanë këtë proces të bllokuar, që veç premtonin e ama nuk realizonin gjë. Koha na ka treguar që në lidhje me këtë proces, ia kanë huqur çdo deklarate apo parashikimi që e kanë bërë.
Njëherë thanë që nuk do mund ta bëni liberalizimin, pastaj thanë që është meritë e tyre, më vonë akuzuan Qeverinë që duke liberalizuar vizat do e zbraznin Kosovën. Tash opozita prapë është kthyer tek pika fillestare e shpresës që nuk do fillojë me 1 janar lëvizja pa viza.
Ajo që është faktike është kjo: Procesi i liberalizimit të vizave u zhbllokua nga Qeveria Kurti, përmes punës intensive diplomatikisht e argumenteve e raporteve në bindjen e vendeve që ishin skeptike për të votuar pro dhe arritur konsensusin. Vendimi u nënshkrua me 19 prill, e tashmë ka hyrë në fuqi. Qytetarët e Kosovës do lëvizin pa viza nga 1 janari 2024.