Më 4 gusht ndodhi një vrasje në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, e 17 persona të tjerë mbetën të lënduar.
Ndërkaq, sot është raportuar se njëri nga të arrestuarit që ishte i implikuar në këtë rast, është liruar.
Avokatja, Teuta Beka Bunjaku, e ka konfirmuar për Paparacin lirimin e Gëzim Zakutit, pas marrjes në pyetje nga Prokuroria.
“Po sot e kanë liruar, pas marrjes në pyetje në Prokurori”, tha ajo shkurtimisht të martën, për Paparacin.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, nën dyshimin për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari Kastriot Ramadani., transmeton Paparaci.
Pajaziti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Kurse, Gecaj dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”, “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse, i pandehuri Zakuti dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”, përcjell Paparaci.
Ndërsa, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht kishte njoftuar se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale.
E, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e pati bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftonte se 17 persona ishin lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.