“The Economist” publikoi një artikull me pagesë që kishte në fokus kompanitë kosovare – “pionierët kosovarë të biznesit që po përdorin zgjuarsinë e tyre komerciale dhe përvojën e fituar me vështirësi për të transformuar ekonominë e atdheut të tyre”, njofton Gazeta Papirus.
Ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, tha se artikulli i “The Economist” është reklamë e Economist Impact dhe se ajo që u tha në artikull nuk është e thënë nga gazeta britanike.
Shkrimi i publikuar në mediumin britanik mban edhe një logo të Odës Ekonomike të Kosovës ndërsa vetq gazeta shpjegon se bëhet fjalë për Advertisment Feature (artikull me pagesë).
“Jo, The Economist NUK tha “Kompanitë kosovare po i sfidojnë pritjet për ta udhëhequr vendin drejt së ardhmes”. Kjo ishte një reklamë me pagesë në Economist Impact. Shumë vite më parë, The Economist raporti për pionierët e shkëlqyer të teknologjisë së Kosovës, por muajt e fundit vetëm lajme të këqija erdhën nga Kosova”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, këtë artikull zyrtarë të Vetëvendosjes e përdorën për të thënë se ekonomia kosovare u rrit në qeverisjen e tyre. Madje, për këtë reklamë deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ofendoi mediat e Kosovës me akuzën që s’po i publikojnë artikujt e tillë.
“Revista prestigjioze britanike “The Economist” e paska thënë. E vërteta e Kosovës po përhapet nëpër tabloide ndërkombëtare si sukses. Në anën tjetër, këtë lajm me siguri nuk do ta lexoni në shumë kazane të Kosovës”, ka shkruar ai.
Me të njëjtën qasje për një artikull të sponzorizuar shkroi edhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.
“Në raportet ndërkombëtare e revista prestigjoze botërore Kosova po vlerësohet shembull në Ballkan. Ndërsa në Kosovë në titujt e portaleve shkruhet krejt e kundërta. Derisa analistët e opozita po tregojnë se sa keq është ekonomia e Kosovës, revista britanike ‘The Economist’ ka shkruar se Kosova me rritje ekonomike ka tejkaluar fqinjët ballkanik. Spo pyes se kujt duhet me i besu. Dihet”.
Po ashtu, edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka shkruar për këtë.
Ai shpërndau edhe titullin e artikullit se si e kishte interpretuar mediumi publik këtë shkrim të “The Economist”.
“Për videon e djeshme të VV-së ku theksoheshin të arriturat në ekonomi thanë propagandë. Ndërkohë në The Economist:”, ka shkruar Manxhuka.