Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka deklaruar se viti i ri shkollor do të fillojë me vështirësi, me të cilat i krijoi Ministria e Arsimit. Ndërkaq, e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin që blerja e teksteve shkollore të bëhet nga ana e prindërve.
“Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për tu heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej ti bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoji MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore”, tha Jasharaj.
Ai shtoi se SBASHK-u me kohë ka reaguar për këtë çështje, derisa kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci që po mban inate me sindikatën e arsimit.
“Zonja Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo doli me një lajm që i ka shqetësuar edhe prindërit dhe neve si mësimdhënës. Ajo sjell vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari që një pjesë e qyteteve nuk ka fare, dhe prindërit të vrapojnë në e-Kosova të aplikojnë dhe të presin rimbursimet”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka kërkuar nga ministrja Nagavci që të dal me qëndrim dhe zgjidhje për rreth 400 punonjës të arsimit të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.
Ai ka thënë se për një vit atyre u ishte siguruar që të mos punonin dhe t’i merrnin pagat, por se ende nuk ka zgjidhje për ta për vitin e ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Në një takim me kryetarët e nivelit komunal të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Jasharaj kërkoi nga MASHTI që të arrihet një zgjidhje për mësimdhënësit që vuajnë nga sëmundje të rënda.
“Ne kërkojmë nga ministrja Nagavci që të marrë qëndrim dhe të kemi një situatë të zgjedhur për kolegët tanë me sëmundje të rënda, ngase ata janë pezull. Një vit u është siguaruar që të mos punojnë e të marrin paga. Ky numër mbetet i lartë. Janë diku 400 punonjës të arsimit me sëmundje të rënda, si kanceri etj, por nëse MASHTI nuk bën zgjedhje ata do të detyrohen që të shkojnë në shkollë sa për të ruajtur vendin e punës, e sa të ushqejnë familjet e tyre”, tha Jasharaj.
Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për tekstet shkollore dhe tha se “viti shkollor do të fillojë keq” për faj të ministres Nagavci. Tha se SBASHK-u do të vazhdojë luftën e vet me Ministrinë e Arsimit për kërkesat e tyre.
/GazetaPapirus/