Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka njoftuar se deri sot janë pranuar 51 mijë e 200 aplikime në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ky njoftim që u shpërnda edhe nga disa mbështetës të partisë në pushtet, por edhe nga sekretari për komunikim i kësaj partie, Arlind Manxhuka, e ka shtyrë të reagojë analistin, Imer Mushkolaj.
Përmes një postimi në Facebook, Mushkolaj tha se është “marre me u krenu” me numrin e aplikimeve, duke shtuar se pushteti s’iu ka lënë zgjidhje tjetër prindërve.
“Numrin e aplikimeve për tekste shkollore, pushteti po e prezanton si sukses. A janë more normalë? Pse, çfarë zgjidhje tjetër iu kanë lënë prindërve, përveç aplikimit? Për besë marre me u krenu me këtë send”, shkroi Mushkolaj.
Ndryshe, në platformën online të Qeverisë së Kosovës, E-Kosova, është hapur më 25 gusht linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), Arbërie Nagavci, njoftoi se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro.
Por, edhe pse platforma është hapur, disa prindër janë ankuar se kanë hasur në probleme pasi që thonë se linku nuk është duke funksionuar.
/GazetaPapirus/