Disa nga shoqëria civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që ta formojë një ministri të familjes, në të cilën do t’i kushtohet kujdes më i madh grave të papuna që kujdesen për fëmijët, moshuarave e personave me aftësi të veçanta. Derisa thonë se kjo praktike përdoret në shtetet e zhvilluara, ata shtojnë se Ministria e Familjes do të ndihmonte në politika edhe për rritjen e natalitetit.
Kryetari i Lëvizjes qytetare “Demokracia konservatore”, Abdullah Klinaku, tha se marrë parasysh vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë familjet në Kosovë, Ministria e Familjes do të hartonte politikë për një jetesë të dinjitetshme.
Sipas tij, një propozim konkret është subvencionimi i nënave të papuna të cilat kujdesen për fëmijët.
“Duke pas parasysh rrethanat të cilat po kalon familja shqiptare në përgjithësi, një agjendë që herë pas herë po zhvillohet kundër familjes, migracionin e madh, gjendjen e rëndë ekonomike, sfidat në shëndetësi, arsim, besoj se janë një tërësi e instrumenteve që po e vështirësojnë qëndrueshmërinë stabile të familjes në Kosovë. Në këtë segment, marrë parasysh edhe çështjen e çerdheve ku është numri i vogël, ku është pamundësia e dërgimit në çerdhe private të fëmijëve prej familjeve që nuk kanë qëndrueshmëri ekonomike, atëherë ne duhet të mendojmë domosdoshmërisht për një tërësi mekanizmave të cilët do e lehtësojnë qëndrueshmërinë e familjes tonë. Në këtë segment një prej propozimeve është subvencionimi i familjeve, përkatësisht i nënave që kanë 3 fëmijë e më shumë, të ketë një subvencionim afatgjatë, në vlerën e një page minimale për periudhën e kohës sa ato përkujdesen për fëmijët”, u shpreh Klinaku.
Derisa rendit argumentet e tij pse duhet të formohet Ministria e Familjes, Klinaku shton se praktika të tilla përdorin vende të ndryshme të botës.
Sipas tij, subvencionimi i grave që vendosin të kujdesen për fëmijët do të ndihmonte edhe në rritjen e natalitetit në Kosovë.
“Qëllimi tjetër është dhe nxitja e natalitetit në Kosovë, për shkak se shifrat flasin se kemi rënie, kjo do të ishte një nxitje për rritjen e natalitetit. Kjo nuk ka qëllim që të krijojë një hezitim të gruas që të jetë aktive në shoqëri, por që gratë të cilat vendosen të përkushtohen për fëmijët e tyre të mbështeten e të subvencionohen për mbikëqyrjen e fëmijëve… Praktika të tilla i përdorin disa prej vendeve të ndryshme, rast konkret është Maqedonia (e Veriut), e cila për nënat që kanë më shumë se tre fëmijë subvencionohen me shuma të caktuara deri në dhjetë vjet e më shumë”, tha ai.
Klinaku tha se idenë e formimit të këtij dikasteri e kanë shtruar edhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës të partive të ndryshme, megjithëse ai pret që kjo ide të mbështetet më shumë nga partitë e djathta.
Kemi propozuar formimin e Ministrisë së Familjes dhe në kompetencë të saj do të ishte edhe kjo çështje. Ministria e Familjes është praktikë e vendeve të cilat e kanë në qendër të politikave të tyre familjen. Është Gjermania, Islanda, Republika e Turqisë dhe ka vende të ndryshme që e kanë funksionale Ministrinë e Familjes. Kjo ministri do të kishte në kompetencën e saj përkujdesjen ndaj fëmijëve, ndaj moshave të shtyra, përkujdesjen ndaj personave me nevoja të veçanta… Dhe për këtë kemi pas biseda edhe me deputetë të pozitës dhe opozitës dhe pres që përgjithësisht partitë e djathta ta mbështesin këtë propozim, por të njëjtën kohë presim edhe prej Qeverisë ta mbështesë, pasi resursi më i madh është familja”, shton mes tjerash Klinaku.
Edhe Besa Luzha, profesoreshë dhe aktiviste për të drejta të njeriut, konsideron se formimi i Ministrisë së Familjes do të ndihmonte që të vlerësohej përmes subvencionimit edhe gratë që kujdesen për fëmijët.
“Tema e punës së papaguar, e cila kryhet më së shumti nga gratë, është një çështje që diskutohet globalisht. Në vendet e zhvilluara kjo është arrit dhe në vendet ku ka një mirëqenie sociale, pra ku është një shtet i mirëfilltë social dhe puna që bëjnë kushdo, qoftë burri apo gruaja në shtëpi, sepse njeri punon, tjetri vendos t’i zhvillojë ato aktivitete që janë të nevojshme për një mirëmbajtje në shtëpi, kujdesi ndaj fëmijëve, kujdesi ndaj të moshuarave shpesh, është një punë që nuk vlerësohet dhe është e padrejtë, sepse sado që nuk shkon në vend të punës diku, kryhet një veprim, dhe kjo duhet të ketë një vlerë”, thotë Luzha.
Mes tjerash, Luzha vlerëson se shuma e subvencionimit të gruas që kujdeset për fëmijët duhet të jetë në lartësinë e pagës minimale.
“Nëse kish me qenë në shumë te pagës minimale që është 260 euro, besoj se kish me qenë minimumi i mundshëm si një lloj pagese që ndikon. E për ato gratë që kanë shkollim e interes të punojnë, nuk kish me qenë e mjaftueshme, në këtë mënyrë ato do të kërkonin vend pune që të mund të qëndrojnë edhe ekonomikisht te pavarura… Po mendoj se Ministria e Punës po na mungon, në Gjermani është Ministria e Familjes dhe ne kemi shumë çështje për t’i trajtuar brenda familjes. Kështu, një Ministri e Familjes do të ishte shumë me interes për shoqërinë tonë”, thotë Luzha.
Formimi i Ministrisë së Familjes është i nevojshëm edhe në sytë e ekonomistit Mustafë Kadriaj, që thotë se mund të ndikojë në rritjen e natalitetit.
“Marrë për bazë zhvillimin e hovshëm të ideve liberale si nivel të ekonomisë e po ashtu të shoqërisë, vlerësoj se është e nevojshme për faktin ka filluar të tkurret familja, në emër të asaj të orientimit të familjes dhe planifikimit familjar, ka rënë nataliteti. Në këtë drejtim, është e nevojshme kujdesi më i madh ndaj familjes… Qëllimi është qe edhe nëse krijohet, mos të jetë vetëm koloriti i ministrive, por ta ketë efektin e vet, sepse është shumë domethënëse, është në pyetje familje”, thotë Mustafa.
/GazetaPapirus/