Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Kështu zgjodhi të festojë edhe një person dje në Klinë, por nuk arriti ta shijojë festën deri në fund pasi përfundoi në stacion policor.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në fshatin Volljakë, ku ishte organizuar një aheng familjar dhe u dëgjuan të shtënat me armë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka gjuajtur rreth 30herë me armë në shenjë gëzimi, duke rrezikuar kështu edhe dasmorët.
Posa Policia u njoftua për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast të dyshuarit i është sekuestruar arma e përdorur bashkë me municion, teksa janë gjetur edhe gëzhojat.
I njëjti u arrestua dhe më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.