Mosmarrëveshjet mes fqinjëve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe përfundojnë si raste në Polici, ku kërkohet ndihmë.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në Llapushnik të Drenasit, ku janë arrestuar pesë persona, nën dyshimin se kanë kanosur seriozisht fqinjin e tyre.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Burim Thaqi, Albert Thaqi, Liridon Thaqi, Elver Thaqi dhe Fetah Thaqi, të cilët janë dërguar në mbajtje, pasi u denoncuan për sherrin në të cilin u futën.
Shtëpitë e tyre janë bastisur, ndërsa të njëjtit janë shoqëruar në Polici ditën kur ka ndodhur incidenti dhe më pas janë intervistuar për motivin e incidentit dhe detajet e asaj që kishte ndodhur.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, me ç’rast u bë e ditur se të dyshuarit do të hetohen për veprën penale “Kanosje”.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovar; pasi që të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje e kanë kanosur viktimën mashkull kosovar. Janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Pas intervistimit pesë të dyshuarit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.”, ka njoftuar Policia.