Zgjedhjet e përgjithshme, kërkesë e vazhdueshme e partive opozitare, mund të mbahen para se Qeveria të përfundojë mandatin katërvjeçar, po vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Ata thonë se Qeveria është karakterizuar me dështime të njëpasnjëshme, e skandale që kanë përfunduar edhe me arrestimin e zyrtarëve të lartë.
Drejtuesi i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli dhe analisti Bekim Kabashi thanë se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen sidomos pas skandaleve të fundit nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Sheholli tha se arrestimet në MINT nuk do të jenë të fundit dhe se paraqesin vetëm fillimin e zinxhirit të arrestimeve të njerëzve që e kanë keqpërdorur paranë publike.
Pos arrestimeve, Sheholli përmendi edhe dorëheqjet nga dikastere të ndryshme të Qeverisë. Shehollit pohon se vendi ka nevojë për një Qeveri të përbashkët të të gjitha partive me një kryeministër konsensual, e që të caktohet një datë e zgjedhjeve.
“E para, këto nuk do jenë arrestimet e fundit, ky është vetëm fillimi i zinxhirit të arrestimeve të njerëzve të cilët kanë keqpërdorur paranë publike dhe rrjetit kriminal i cili është krijuar në Qeverinë Kurti e të cilit po i del dita ditës boja. Kjo është çështja e parë, e dyta: duke pasur parasysh se gjendesh në këto afera të përditshme të cilat po rrjedhin vetë pushteti në këtë rast duhet ta kuptojë që kështu nuk udhëhiqet. Nuk mund të udhëhiqet shteti me njerëz të arrestuar vazhdimisht. E kanë të arrestuar Nagip Krasniqin, drejtorin e KEK-ut, dy zyrtarë të Ministrisë së Ndërrmarrësisë, të Tregtisë, një biznesmen me të cilin kanë bërë ‘dallavere’ vazhdimisht lidhur me rezervat shtetërore, e kanë aferën e Martin Berishajt, dorëheqjen e ministrit Mehaj, dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit, dorëheqjen e britanikes, së drejtoreshës së komuniteteve Elizabeth Goëing, shumë afera të cilat nuk po mund t’i ndalin”.
“Ky fakt, kur lidhen këto dëshmi, nënkupton që vetë, edhe pa të thënë opozita, duhet ta kuptojnë që nuk mund ta udhëheqin shtetin me këto afera, dhe këto fakte e ky i fundit në botën e civilizuar, që kryeministri të ngritet e pastaj edhe ministrja e drejtësisë, e edhe shumë deputetë të pushtetit ta kritikojnë dhe t’i kërcënohen legjislacionit në Kosovë, drejtësisë, prokurorisë, hetuesve është e paparë në demokraci. Kjo të bënë të mendosh se ky vend ka nevojë besoj për fillim për një qeveri të përbashkët të të gjitha partive politike të unitetit, me një kryeministër konsensual dhe të caktohet data e zgjedhjeve. Në çdo formë tjetër ne do të ballafaqohemi me probleme të tilla të cilat Kosovën e sjellin në një pozitë shumë inferiore edhe në dialog me Serbinë”, u shpreh Sheholli.
Analisti Bekim Kabashi tha se nëse dëshmohet se ka pasur keqpërdorim me paranë publike e sidomos në rezerva shtetërore dhe në të ka pasur gisht kryeministri duhet të pasojë dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje.
Ose ai thotë se mund të organizohet një mocion mosbesimi sepse duhet të konfirmohet vota e dhënë ndaj një partie e cila është thirrur gjithmonë në luftën kundër korrupsionit, zëshëm madje.
Por që Kabashi tha se duhet të pritet që të vërtetohet nëse bëhet fjalë për një rast të tillë. Kabashi e sheh si të duhur është transparenca e ministres Hajdari dhe e kryeministrit në raport me media dhe me opinionin e gjerë publik, e cila deri më tani sipas këtij të fundit ka munguar.
“Nëse dëshmohet se ka pasur keqpërdorime, abuzim me paranë e shtetit aq më tepër me rezervat shtetërore që është një temë edhe më e ndjeshme sesa kaq dhe kjo lidhje shkon deri te kryeministri sigurisht që duhet të vije deri tek dorëheqja ose tek një mocion mosbesimi ose ngjashëm që të shkohet në zgjedhje dhe të merret konfirmimi i votës qytetare sepse për më tepër kjo qeveri ka ardhur në pushtet me parimin e luftimit të dukurive negative siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe rasti në fjalë hyn në këtë segment, vetë prokuroria në deklaratën e saj thotë se keqpërdorimi i detyrës zyrtare lidhet direkt me aferën korruptive”.
“Por kjo duhet të pritet derisa të vërtetohet nëse kemi të bëjmë me diçka të tillë. Nuk mund të themi menjëherë se kërkojmë zgjedhje por ajo se çka duhet të kërkohet në këtë fazë është që të dalë kryeministri, ministrja të sqarohen me opinionin publik, të jenë transparent e jo t’ju ikin mediave siç ka ndodhur sot në këtë kohë sa po flasim tani”, tha Kabashi