Ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimet në veri të Kosovës ishin temat kryesore në takimin mes Gabriel Escobar dhe Ali Ahmetit.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor u takuan në kuadër të vizitës që Escobar po e zhvillon në Maqedoninë e Veriut.
“Kosova ishte shqetësim i përbashkët i joni”, shkroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në llogarinë e tij në Facebook.
“Vlerësuam që Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë”.
Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e SHBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.
Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.
Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.
Si Marrëveshja e Brukselit ashtu edhe Aneksi i Ohrit ishin përkrahur nga Ahmeti, por edhe gjithë politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Arsye e përkrahjes, thënë edhe atëherë nga Ahmeti, ishte fakti se të përfshirë qenë amerikanët.
“ShBA-të janë miku më i vyer dhe i çmuar jo vetëm i Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe tërë rajonit”, përsëriti Ahmeti edhe pas këtij takimi të fundit me Escobar.
“Shqiptarët në veçanti janë mirënjohës për rolin dhe kontributin amerikan për liri, paqe dhe demokraci dhe ky vlerësim i të gjithë neve nuk lëkundët dot”, shtoi.
Jashtë kësaj, Ahmeti njoftoi se top-diplomati amerikan e ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, i cili realizohet nëpërmjet miratimit të ndryshimeve kushtetuese – njohjes së bullgarëve në Maqedoni të Veriut si entitet i veçantë, kërkesë kjo eksplicite e shtetit bullgar.
Ahmeti, partnerët e tij në qeverinë e Maqedonisë, Aleanca e Arben Taravarit, Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit dhe LSDM-ja maqedonase, janë partitë që po e shtyjnë ndryshimin kushtetues.
Ata kundërshtohen kategorikisht nga partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE.
Seanca për ndryshimet kushtetuese ka filluar me 18 gusht dhe nuk dihet sa do të zgjas.
Escobar këtë vizitë në Maqedoni të Veriut e realizon pikërisht si mbështetje e hapur amerikane për ndryshimet e kërkuara kushtetuese.