Kreu i komunës së Tetovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes BESA Bilall Kasami sot ka marrë ftesë që të paraqitet personalisht në Gjykatën Themelore të Tetovës më datën 15 shtator, në cilësinë e të akuzuarit për shkelje.
Ftesa për t’u paraqitur në Gjykatë ka të bëjë me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë në datën 11 gusht, përkatësisht për mos intonimin e himnit shtetëror, por vetëm atij kombëtar dhe për valëvitjen e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës por jo edhe atij të Maqedonisë.
Kreu i Besës, Bilall Kasami vlerëson se ftesa për në gjykatë është frikë nga opozita.
“Edhe një tentim për frikësim dhe heshtje, që më bën të kuptoj se sa frikë e kanë opozitën shqiptare. Me këto akte, po na e shtoni kurajën. Koha e frikësimit dhe shantazhimit të shqiptarëve ka vdekur, ashtu siç është duke vdekur regjimi juaj. I detyrohemi vetëm qytetarëve dhe këtij populli, sa për regjimet e këtilla, nuk jemi frikësuar as në kohën e komunizmit, as tani. Koha juaj ka përfunduar. Numëroni ditët!”, theksohet në reagimin e Kasamit