Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se prindërit nga e premtja mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore. Ajo ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
“Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore. Platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër. Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”, ka thënë Nagavci në njoftimin në Facebook.
10 ditë para nisjes së procesit mësimor, Ministria e Arsimit njoftoi se ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për blerjen e librave, teksa i akuzoi ato që ofertuan çmime më të larta sesa ato që i kanë vendosur në libraritë e tyre.
Më herët gjatë ditës, përfaqësues të shtëpive botuese i kanë thënë KOHËS se ende nuk i kanë furnizuar libraritë me tekste shkollore.
Njoftimi i Ministrisë ditë më parë, nxiti reagime të mëdha në publik. Partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e saj duke thënë se propozimi përbën paaftësi në menaxhim me sistemin arsimor.
Është hera e parë që pas 15 vjetësh, prindërit do të obligohen t’i blejnë vetë tekstet, por me rimbursim të Ministrisë. Deri tash shteti kryente vetë të gjitha këto procedura.