Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se janë nisur forca të njësive speciale drejt Mitrovicës së Veriut, pas raportimeve të disa mediave online.
Për Nacionalen, zëdhënësi i policisë për rajon të veriut, Veton Elshani, mohoi se ka gjë të vërtetë në këto raportime.
“Jo. Nuk ka asgjë të vërtetë në këto raportime. Nuk janë nisur njësi speciale”, tha shkurtazi ai për Nacionalen.
Kujtojmë se një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, e cila shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe, supozohet të lirohet deri nesër, siç kanë kërkuar nga Inspektorati Komunal i kësaj komune tashmë nën udhëheqje të Vetëvendosjes.
Një vendim i tillë nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët e vlerësuan si vendim që shkon në anën e kundërt të përpjekjeve për shtensionim të situatës në veri.
Ende nuk dihet nëse do të intervenojë policia kosovare në rast të moslirimit të objektit “deri të premten” siç është kërkuar nga autoritetet lokale atje, tashmë të udhëheqhura nga Vetëvendosja.