Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrjen e fillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Ai ka theksuar se ku dështim rikonfirmon paaftësinë e thellë të kësaj qeveria për të bërë diçka.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ekziston rreziku që ky proces të mos mbahet fare këtë vit.
“Dështimi i Qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë, rikonfirmon edhe një herë paaftësinë e thellë e cila tashmë është bërë sinonim i çdo veprimi nëpër të gjithë sektorët e shtetit. Fillimisht, e shtynë këtë proces nga viti i kaluar, ndërkaq, tash, nga 1 shtatori kur është dashur të filloj, e shtyen përsëri për disa muaj. Në fakt, rreziku është që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit, e Kosova të lihet pa statistika legjitime dhe tejet të rëndësishme”, ka shkruar Krasniqi.
I pari i PDK-së ka treguar arsyet e shtyrjes së këtij procesi.
Sipas tij, ekzistojnë tri arsyeje.
“Përkundër arsyetimeve të rreme të Qeverisë, ekzistojnë disa arsye, tërësisht politike se pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë. E para: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, andaj s’është e aftë që t’i regjistrojë qytetarët atje. E dyta: emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës, ku, vetëm brenda këtyre mbi dy viteve të kësja qeverie, janë larguar nga vendi rreth 150 mijë qytetarë. E treta: katrahura që e ka kapluar Agjencionin e Statistikavë të Kosovës, për shkak të ndërhyrjeve politike e partiake në të nga ana e Qeverisë”, ka vlerësuar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se qytetarët e Kosovës e meritojnë një shpjegim të sinqertë nga Qeveria për këtë skandal të ri.
“Regjistrimi i popullsisë është jetik për krijimin e politikave dhe veprimeve të mirëfillta dhe afatgjata qeverisëse, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Prandaj, i bëjë thirrje Qeverisë që të ndaloj shkatërrimin e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, përmes ndërhyrjeve dhe trysnisë së përditshme politike, dhe të punojë urgjentisht që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë sa më parë. Pa statistika s’ka planifikim. Pa planifikim s’ka progres! Por, fatkeqësisht, ne kemi nje Qeveri që punon edhe pa plan edhe pa program”, ka shkruar ai.