Duke e akuzuar se “po bën të kundërtën e veprimeve që do të duhej”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka publikuar një video duke e pyetur Prokurorinë Speciale “se për çfarë dhe për kënd punon?”
Në një video në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, Haxhiu ka folur për objektin e ish-hotelit “Vicianum” në Vushtrri, që ishte rrënuar në fillim të vitit 2021. Prona mbi dy hektarëse, që ishte pronë e Shërbimit Korrektues të Smrekronicës – i ishte dhënë në shfrytëzim një biznesmeni. Ministria e Drejtësisë madje i pati dhënë leje pronarit që pronën t’ia lëshonte me qira Komunës së Vushtrrisë.
Tani, ministrja Haxhiu duke akuzuar për mospunë Prokurorinë Speciale, ka thënë se Ministria që ajo udhëheq ka bërë kallëzim penal për dhënien në shfrytëzim për 10 vjet të pronës së MD-së te një person fizik. Ajo ka thënë se njëanshëm kanë shkëputur marrëveshjen.
“Në vend të ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Speciale ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin se nuk ka shkelje penale pasi s’ka dëme të shkaktuara edhe përkundër faktit se kontrata pjesërisht ishte realizuar sepse tashmë ish-objekti siç njihej ‘Hoteli Vicianum’ ishte rrënuar në mënyrë të kundërligjshme. Për më tepër ka krijuar precedent të rrezikshëm, pasi që sipas tyre rrënimi i objekteve publike nga personat fizik s’është vepër penale. Në vend se të merret me ata që kanë shkelur ligjin, kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm. Veprimet tona për ndalje të abuzimeve dhe keqpërdorimeve tashmë janë objekt hetimi nga prokuroria në vend se të ishte e kundërta. Në prokurori e polici kemi bërë edhe shumë denoncime të tjera. Por deri tani fatkeqësisht nuk kemi asnjë lëvizja nga ana e institucioneve. Pra shtrohet pyetja e thjeshtë për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?” ka thënë Haxhiu në video.