Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është më e paafta në histori të Kosovës sa i përket udhëheqjes.
Sipas Tahirit, Qeveria aktuale s’ka kryer asnjë punë të madhe e asnjë investim masiv që do t’ua ndryshonte jetën qytetarëve. Ai shtoi se me Qeverinë Kurti, Kosova po dëmtohet.
“Në rrethanat që sot është Kosova, shihet se Kosova është dobësuar. Veprimet e Kurtit në vend që ta forcojnë sovranitetin, e kanë dobësuar këtë. Në aspektin ekonomik ka një rënie, s’ka asnjë veprim nga Qeveria për ta zbutur këtë. Asnjë investim kapital, asnjë fabrikë asnjë rrugë që do të ndihmonte Kosovën. Pjesa serioze e menaxhimit është gabim, e tash kanë filluar të dalin edhe skandale korruptive”, ka deklaruar Tahiri të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.
Deputeti i AAK-së theksoi se asnjëherë s’ka ndodhur që një kryeministër të mbrojë afera korruptive, derisa shtoi se ky subjekt politik e ka përkrahur Qeverinë në disa tema.
“Punën tonë e kemi bërë, AAK-ja nëse e shihni kursin që e kemi pasur, do të thotë aty ku kemi menduar se Kurti po punon mirë, e kemi mbështetur. Në marrëveshje ndërkombëtare, AAK-ja e ka mbështetur edhe me marrëveshjet e Ohrit edhe të Brukselit. E kemi mbështetur edhe për mosmbajtjen e referendumit dhe të zgjedhjet lokale të Serbisë. E kemi mbështetur edhe për marrëveshjen për energjinë. Kur kemi menduar se diçka është mirë, kemi votuar, kur kemi menduar se është gabim kemi qenë shumë të zëshëm”, u shpreh ai.
Tahiri theksoi se armiku kryesor i kryeministrit Albin Kurti është kabineti i tij qeveritar. Ministrat, sipas deputetit opozitar, janë të dobët dhe të papërvojë.
“S’po shoh asgjë, është e papranueshme një ministër i financave, një djalë i ri që kurrë një veprim që ka përfituar diçka s’e ka bërë…Qeveria Kurti e ka mbiemrin paaftësi, kjo është qeveria më e paaftë në histori. A bën me m’tregu dikush cilat janë 10 punë që i ka kryer Qeveria Kurti për dy vjet e gjysmë. Nuk e di a do të mund t’i udhëhiqnin shtëpitë e tyre, e lërë më Kosovën”, u shpreh ai.