Pas skandalit të mosfinancimit të librave shkollorë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Gazeta Papirus ka zbuluar se këtu mund të fshihet një marrëveshje e fshehtë përfitimi dhe një aferë tjetër korrupsioni.
Një burim i mirëinformuar brenda njërit prej dikastereve të qeverisë, ka informuar portalin Gazeta Papirus, se ideja e qeverisë për t’i siguruar librat duke ua kaluar pagesën prindërve që ata t’i blejnë librat personalisht hap një kapitull të ri të skandaleve të kësaj qeverie, ndoshta më të madhin deri më tani.
Edhe nëse nuk mund të provohet korrupsioni i drejtpërdrejtë, dëmi që i shkaktohet buxhetit në këtë formë është disamilionësh, pasi e dyfishon shpenzimin e furnizimit të nxënësve me libra.
Nëse librat përsëri do të paguhen nga qeveria, kjo i bie që mos të paguhen me çmimin e shumicës, por të paguhen me çmimin e pakicës, dyfish më shtrenjtë, nga prindërit, po me para të qeverisë.
“Një pagesë indirekte, për ta fryrë çmimin, duke përdorur prindërit në mes”, thotë burimi i Gazetës Papirus.
Si njohës i mirë i procesit të botimit të librit, burimi i Gazeta Papirus ka treguar se nëse librat do të bliheshin me shumicë nga qeveria, ata do të kishin kosto më të ulët, ndërsa nëse prindërit do të duhej t’i paguanin veç e veç, që i bie me pakicë dhe qeveria do t’ua kalojë mjetet prindërve, atëherë kosto do të rritet sepse do të duhet të paguajë çmimin e pakicës që në fund do të jetë edhe më i lartë se çmimi që kanë kërkuar botuesit.
Treguar me përqindje, botuesit ua shesin librat shitësve me 40% të çmimit që shkruan në kopertinë, që ata të mbulojnë shpenzimet e shitjes dhe të nxjerrin fitime gjatë shitjes me pakicë.
Kështu, Qeveria, në vend se të paguante ta zëmë 50% duke i blerë librat drejtpërdrejt, me shumicë, ajo duhet të kalojë 50% më shumë para për blerjen e tyre me pakicë, sepse në librari, për prindërit do të kushtojnë më shtrenjtë sesa që qeveria mund t’i blinte drejtpërdrejt nga botuesi/shtypshkronja.
“Është pika tjetër që pas këtij vendimi do të ketë përsëri hapësirë për keqpërdorim, pasi që mes disa botuesve, u mbetet arsimtarëve dhe këshillit të prindërve të vendosin se me cilin libër do ta vijojnë planprogramin e atij viti, duke qenë se ka disa botues. Kjo shpjegohet më lehtë me sugjerimin e mjekëve që të bëjnë për barnatoret, se cilin ilaç ta përdorësh saktësisht apo nga cila barnatore ta blesh, praktikë e njohur për kosovarët”, shpjegon burimi për Gazeta Papirus.
Se kjo mund të ketë qenë e parapërgatitur me muaj, e forcon fakti që këtë vit, disa shkolla u kanë kërkuar nxënësve që t’i kthejnë librat në fund të vitit. Tani shkollat mund t’i shpërndajnë te klasët vijuese ata libra dhe në anën tjetër qeveria do të paguajë për ato libra të cilët kanë qenë të blerë vitin e kaluar. Po i blen dy herë. Sepse prindërit nuk do t’i blejnë librat.
Mbetet që ditëve në vijim të deklarohen edhe vetë botuesit se cili do të jetë pozicioni i tyre pas anulimit të tenderit të furnizimit me librat. A do të guxojnë të botojnë sasinë e nevojshme, kush do ta garantojë furnizimin dhe se sa do ta keni çmimin librat me pakicë, në krahasim me shumicë dhe tirazh të planifikuar që mund ta negocionte qeveria.
“Librat nga shteti po përdoren për biznes, jo për dije dhe askujt nuk i shkon mendja se abuzohet me fonde të librave. Këtu shteti ka stimuluar ose e ka mbuluar korrupsionin! Nëse kjo është bërë me marrëveshje, atëherë i bie që nuk kemi një kryeministër të pakorruptuar as një kryeministër më të mençur por kemi një të korruptuar më të mençur”, shpjegon tutje burimi i Gazeta Papirus.
Edhe në Ministrinë e Kulturës e cila mbështet autorët dhe botuesit duke subvencionuar botimin e librit bëhen shumë abuzime, të cilat një ditë duhet të ndriçohen.
“Tash, me paratë që po mungojnë ose që nuk ka qenë në gjendje Ministria e Arsimit t’i shtojë për librat e fëmijëve, më shumë se kaq ka dhënë në botime të autorëve të rinj apo ribotime të librave, jo të rëndësisë primare që janë në këtë rast librat shkollor ku merren bazat e arsimit”, thotë një tjetër burim për Gazeta Papirus.
“Këtë vit Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka shpenzuar rreth 636.730,00 euro, para që nuk dihet se ku kanë shkuar,” rrëfen burimi i Gazeta Papirus brenda kësaj ministrie.
“Libri subvencionohet në disa drejtime. Stimulohen autorët, stimulohen shtëpitë botuese, stimulohen tash edhe disa OJQ të cilat gjithashtu botojnë libra. Subvencionohen revista të cilat nuk i sheh askush përpos atyre që bëjnë ndonjë shkrim aty, ” tregon gjithë malverzimet që bëhen, burimi i Gazetës Papirus.
“E para, Ministria u jep para me i botu librat, autorëve, botuesve, OJQ-ve, revistave. Po i përmendi rend sepse ka raste kur i njëjti njeri, ose familje, konkurron edhe si OJQ edhe si Shtëpi Botuese ose si revistë, kjo për të përfituar sa më shumë. Aty fryhen çmimet. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë me krahasimin e çmimit në treg dhe shumës që u është lëshuar, e cila është publike”, sqaron burimi i Gazeta Papirus.
Burimi i Gazeta Papirus thekson tutje se kur autorët aplikojnë përmes OJQ-ve, e bëjnë këtë që të marrin mbështetje më të madhe financiare sepse si OJQ ligji ua lejon mbi 5.000 euro. Ndërsa është e njëjta gjë, janë vetë autorët të kamufluar përmes OJQ-ve. Por duket se keqpërdorimi vetëm sa fillon këtu.
Sipas burimit brenda ministrisë, këta libra për të cilët ata marrin fonde të fryra për t’i botuar, përsëri i shesin në treg.
Ministria përsëri blen libra për nevoja të ministrisë ose për t’i stimuluar shitjet e tyre. Në këto raste, ose autorët, ose përfitues të tjerë, si shoqata apo botues, do të botojnë vetëm sasinë që ua kërkon ministria për blerje, të cilat ua shesin me çmimin maksimal të mundshëm.
Ka raste kur botuesit i botojnë me printer veç ato 50 copë sa ua kërkon ministria, për ta arsyetuar financimin e botimit të atij libri dhe pjesën tjetër nuk e sheh askush as në librari as në treg sepse nuk ekziston.
Ka raste kur financohen libra disa herë të ribotuar ndërsa nga ministria merret financim për përkthim të librit, për redaktim apo për përpunim.
Gazeta Papirus ka gjetur përputhje mes deklarimeve të burimit dhe publikimeve zyrtare nga vetë ministria ku shihen shuma të konsiderueshme të cilat u janë dhënë shtëpive botuese për botime të ndryshme. Ndër përfituesit ka edhe profesorë dhe figura të tjera të njohura publike, të cilët edhe mund të kenë pasur ndikim në përfitimin e përkrahjes për botimet e tyre.
Shih më poshtë fotot:
Një rast tjetër të stimulimi i autoreve për promovimin e letërsisë shqiptare dhe lexueshmërisë në panairin e librit të vjetër të rrallë dhe të përdorur e kemi Kimete Kasumin, e njëjta ka marrë rreth 5.500 euro.
Vetëm një revistë, ajo që quhet Akademia e N.SH.Armagedoni në emër të Berat Dakaj, ka marrë prej Kabinetit të Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, hiç më pak se 12 000 euro. Po aq ka marrë edhe revista Jeta e Re, nga Revistat Rilindja SH.P.K, në emrin e Deme Topalli – 12 000 euro.
Ndërsa 10 500 euro një revistë e titulluar Symbol, nga Shtëpia botuese Bard Books e Ag Apollonit, i cili ka përfituar edhe në konkursin e blerjes së librave nga ministria, me librin Kesulekuqja 700€ dhe Skenderbeu 700€ për ta arritur kështu shumën 11 900 euro, kurse Kosova PEN Center e Binak Kelmendit 8 000 euro.
/GazetaPapirus/