Kryeimami i Bashkësisë Islame i Kosovës, Vedat Sahiti, ka bërë me dije se kërkesa kryesore e kësaj bashkësie fetare ndaj qeverisë së re është ligji që përcakton qartë pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, me rastin e Fitër Bjaramin, ai ka thënë se mungesa e këtij ligji po shkakton vështirësi të mëdha për funksionim normal të bashkësive fetare në vend.
Bashkësia Islame e Kosovës, sikurse edhe bashkësitë e tjera fetare në vend, në mungesë të ligjit që përcakton qartë pozitën juridike të bashkësive fetare, pa dyshim se ka vështirësi të mëdha për funksionim normal e të qëndrueshëm. Besoj se kjo është kërkesa jonë parësore si Bashkësi Islame dhe në këtë kuadër mendojmë se mund të zgjidhen edhe një mori problemesh dhe kërkesash të tjera që mund t’i kemi ne si Bashkësia më e madhe fetare në vend për të mirën e besimtarëve”, ka deklaruar Sahiti.