Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka dështuar për të siguruar librat për vitin shkollor.
Lushaku-Sadriu, thotë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të avulloj së paku dy milionë euro nga buxheti i Kosovës.
“Qeveria e Kosovës paska vendosur që familjet t’i blejnë vet librat shkollorë, meqë ka dështuar të negociojë çmimin për blerjen e tyre. Me këtë vendim u vërtetua dështimi i MASHT-it për të siguruar librat për vitin shkollor, për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
“Paramendoni, Shtëpitë Botuese e kanë vet në dorë të vendosin çmimin e librave. Ato nuk do t’i shesin librat me çmimin me lirim që do të ia ofronin Qeverisë, por çmimi do të jetë deri 20% më i shtrenjtë”.
“Paradoksalisht, qeveria do t’i rimbursojë familjet për librat që ata i kanë blerë 20% më shtrenjtë, ndërkohë që e quan këtë metodë të re për kursim parashë. Pra, sërish nga buxheti i shtetit qeveria do të paguaj-rimbursojë një shumë 20% më të madhe për blerjen e librave shkollore”.
“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të avulloj së paku 2 milion euro nga buxheti i Kosovës, nën petkun e kursimit të parave për tekste shkollore! Një veprim tjetër tipik populist i Qeverisë Kurti në dëm të qytetarëve e buxhetit të Kosovës!”.