Njëri nga invalidët e shumtë të luftës së UÇK-së, po kërkon shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla pas riaktualizimit të disa deklaratave të Ministres për disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Arton Hoti, invalid i UÇK-së nga fshati Burojë, thotë se janë në koordinim me shoqatat e dala nga lufta që në rast se kryeministri Albin Kurti nuk e shkarkon Donika Gërvallën nga MPJD do të dalin në rrugë për të protestuar deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.
Jemi në koordinim me shoqatat e dala nga lufta, po presim një takim eventual me kryeministrin dhe kryetarin e Shoqatave të dala nga lufta dhe po presim që nëse kryeministri nuk e shkarkon… Donika Gërvallën nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, ne do të bëjmë protesta… Unë nuk jam as në politikë e as në ndonjë shoqatë. Mirëpo na ka dëmtua, na ka lëndua shumë Donika me pretendimet që gjoja krerët e UÇK-së janë kriminelë. Nuk ka thënë vetëm për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, por ka thënë edhe për Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn dhe për të gjithë krerët që ishin celula e UÇK-së.. E lus kryeministrin e Kosovës ta shkarkojë sa më parë”, thotë ai.
Duke i quajtur tradhtarë ata që flasin keq për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hoti thotë për KosovaPress se vendit nuk i duhet një ministre që shpifë për luftën e UÇK-së.
Ai komenton edhe deklaratat e kryeministrit Kurti, se Donika Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën çlirimtare dhe UÇK-në.
“E pash një deklaratë ku kryeministri e përkrahi për shkak se ka pasur sukses në një takim ku ta di unë ku e ka mbajtur ajo në Këshillin e Bashkësisë Evropiane. Ne e pamë atë takim, nuk tregoi asnjë sukses. Homologu i saj serb disa herë e quajti UÇK-në kriminale, ndërsa ajo nuk e foli asnjë fjalë të vetme. E ulte kokën dhe nuk fliste. Pak ditë pasi e dha atë version ministri serb, kjo vet doli dhe tha që ‘Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë koka e krimit në Kosovë’”, thotë Hoti.
Ai flet edhe për ndikimin e pandemisë tek invalidët dhe veteranët e luftës. Mospërfshirja e tyre në pakon emergjente sipas Hotit, ka bërë që kjo kategori të përballet me vështirësi të shumta.
“I them kryeministrit aktual Albin Kurtit, nëse t’i e përkrahë UÇK-në, çfarë ndihme iu dhe gjatë pandemisë, sa invalidë që po vdesin çdo ditë nga COVID-i i vaksinuat. Në cilën pako emergjente i futët invalidët dhe veteranët e luftës. Në pandemi, në ora 11 të natës më ka thirr një invalid i luftës dhe më tha ‘a ke 150 euro sepse është kah më nxjerrë qiragjiu nga banesa se nuk kam pasur mundësi me e pagua’. Ne e dimë që dhe para këtyre qeverive ne i kemi marrë 170 euro rrogë, mirëpo kemi punua privat. A gjatë pandemisë, na futën në orë policore, na burgosën për së gjalli dhe nuk na dhanë asnjë ndihmë”, thotë ai.