Rozeta Hajdari Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po mban konferencë për bastisjet dhe arrestimet e ditës së sotme në Ministrinë e Tregtisë dhe në restaurantin e Ridvan Muharremit, “Bukë e Zemër”.
Fillimisht minsitrja Hajdari tha se gjatë qeverisjes Kurti rezervat shtetërore janë rritur në krahasim me qeveritë e kaluara. Tutje shtoi se ka besim tek zyrtarët e ndaluar sot që nuk kanë keqpërdorë postet e tyre.
“Ministria i siguron qytetarët se nuk dyshon në asnjë keqpërdorim nga ana e zyrtarëve që janë ndaluar për 48 orë. Të gjitha procedurat për furnizim janë bërë në bazë të legjislacionit në fuqi”, tha ajo.
“Nuk dyshojmë në asnjërin nga zyrtaret tanë të ndaluar për 48 orë, pasi ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku, motivet dhe arsyet duhet të hetohet gjithashtu”, pretendim skandaloz i përsëritur për të dytën herë këtë të premte.
Ajo pranoi se ka pasur vonesa se në porosinë për rezerva shtetërore që ishte bërë gjatë vitit 2022, 3 % nga totali i porosisë.
Për këtë, ministrja Hajdari ka thënë se në qershor të vitit 2023, kanë angazhuar avokaturën shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore.
Tutje, ajo kritikoi njësitet hetuese që sot shkuan në zyrat e MINT-it, ku tha se nuk kanë prezantuar çertifikatë të sigurisë sekrete.
“Si ministre e MINT-it, pres që organet e hetimit të mos e cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë bëhet fjalë për rezerva shtetërore sepse gjatë hetimeve, dokumentet që janë marrë nga policia në MINT janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa Policia e Njësisë Hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, tha Hajdari.