President serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nga java e ardhshme pret presionin më të madh deri më tani ndaj Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe se kundër tij “po organizohet një fushatë me qëllim të izolimit të tij”.
Duke kujtuar se ditëve të fundit në të gjitha mediat botërore u publikuan tekste në të cilat ai fajësohet për gjithçka, Vuçiqi ka thënë se në fakt “ata po e akuzojnë Serbinë për gjithçka” dhe pyeti se “çfarë ka ndodhur, çfarë ka thënë dikush nga Serbia”.
“Asgjë, por është një fushatë e organizuar, përgatitja e asaj që do të ndodhë nga java e ardhshme. Pres presion të madh dhe të rëndë në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, më të vështirat deri tani”, ka thënë Vuçiqi.
Ai gjithashtu ka pretenduar se pas përshkallëzimit në veri të Kosovës, e kanë ftuar kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, dhe siç ka deklaruar “ai ka qenë shumë i zemëruar” në atë takim sepse i kanë ofruar diçka që dukej “e pamundur”.
“Serbët nuk kanë dashur të marrin pjesë në zgjedhje, unë i kam mbështetur, dhe ata kanë thënë kushti është që serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje”, ka thënë Vuçiq.
Ai tregon se serbët duhet të përmbushin kushtin e pestë nga Marrëveshja e Brukselit për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por ankohet se Asociacioni nuk është formuar për 10 vjet.
“Kështu e bëjnë ata, në çdo moment thonë se janë të gatshëm për sanksione ndaj Serbisë, dhe kur pyet pse, thonë se ato janë gati, janë gati se frikësohen nga “pensionistët politikë” si Alicia Kearns, Bob Menendez, të cilët po më ndjekin dhe e kanë ndërtuar të gjithë karrierën e tyre mbi urrejtjen ndaj serbëve dhe dashurinë ndaj shqiptarëve”, ka pretenduar ai.
Të gjitha këto tregojnë, sipas fjalëve të tij, “se asgjë në parim nuk mund të dëgjohet nga bashkësia ndërkombëtare për këtë çështje”.
“Pres në ditët, javët në vijim, në fund të gushtit, në fillim të shtatorit, presionin më të rëndë deri tani. Do të mundohemi të ruajmë pozicionin tonë, a do t’ia dalim apo jo, do ta shohim. Politika duhet të ketë parimet, ne do të përpiqemi të ruajmë drejtësinë e politikës sonë dhe nëse do të kemi sukses në këtë, mbetet për t’u parë”, tha Vuçiq.