Dëshmitari i 16-të në Gjykatën Speciale të Hagës, ka lënë të nënkuptohet se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapushnikut. Duke treguar për strukturën komanduese të zonës, ceremonitë e betimit dhe detajet e tjera. Por çfarë deklaroi ky dëshmitar për aq sa dëshmia ishte e hapur?
Në fillim, dëshmitari 16 u pyet për objektin e shtabit të UÇK-së në Llapushnik. Ai e tregoi me shenjë se cili prej këtyre objekteve ka qenë shtab.
E më pas u transmetua një video ku shiheshin Fatmir Limaj, Ismet Jashari e Musë Jashari. Prokuroria insistonte se ajo video ishte ceremoni e betimit, por trupi gjykues nuk u pajtua. Si rezultat, videoja nuk u pranua si provë.
“I pari me mustaqe është Musë Jashari, i dyti është Fatmir Limaj, i treti është Kumanova, Ismet Jashari. Betimin ku e kemi dhanë ato video janë zhdukur, incizimi nuk është shfaqur asnjëherë”, ka thënë në fillim dëshmitari 16, raporton Nacionale.
Dëshmitari konfirmoi se komandantët e UÇK-së iu patën dhënë disa rregulla të cilat duhet të zbatoheshin.
“Rregullat i kemi dëgju prej Imer Alushanit, Qerqizit (Isak Musliu), prej këtyre që duhet me pas rregulla po a janë zbatuar, nuk janë zbatuar në tërësi”, deklaroi ai në pyetjet e prokurorit.
Dëshmitari e dinte në detaje edhe strukturën komanduese të zonës së Llapushnikut. Ai e konfirmoi se Fatmir Limaj ka qenë komandanti kryesor, dhe Isak Musliu gjithashtu kishte pasur rol udhëheqës. Sipas tij, të gjithë këta emra, përfshirë edhe Shefqet Buqën e Imer Alushanin, mund të jepnin urdhra.
Dëshmitari e ka pranuar se e ka njohur edhe Shukri Bujën, por që ka theksuar se ai e ka udhëhequr një zonë afër Krojmirit në Lipjan.
Pyetjet kryesore në seancë të hapur, ishin ato rreth “kolaboracionistëve” në zonën e Llapushnikut. Dëshmitari tha se në këtë zonë ka pasur klimë kundër LDK-së.
“Menjëherë si kemi shkuar kanë filluar të deklarohen disa ushtarë pa uniformë, e përmendshin shallin. E kuptova që fjala është për Rugovën, na kemi qenë pjesë e LDK-së deri vonë mas luftës, atëherë njëfarë llojë presioni që kemi pasur ka qenë edhe ky motiv, që njerëzit e LDK-së pse janë kyç në UÇK. Këta kanë menduar që vetëm këta me udhëheq luftën e zotëru Kosovën”, deklaroi ai.
Sipas tij, në këtë zonë njerëzit e LDK-së nuk pranoheshin lehtësisht pasi vlerësoheshin se nuk janë të besueshëm.
“Ka pasur, kanë thënë nuk duhet me i pranu nuk janë të besueshëm. Komanda ka qenë sigurisht se nuk kish mujt me fol, edhe pse shumica e luftëtarëve ka qenë me LDK-në. U pa qartë”, deklaroi dëshmitari 16.
Pjesa më e madhe e seancës ka qenë private, pasi avokatët kanë kërkuar që dëshmitari të ofrojë detaje se si i di këto rrëfime, e jo të jap opinione.
Seanca nisi me një deklaratë të ashpër nga avokati i Thaçit, Gregory Keohe, i cili foli për 4 dëshmitarët katolikë të cilët u kërkuan për të dëshmuar kundër ish-presidentit të Kosovës.
“Tjetra që është shumë shqetësuese është ndikimi në dëshmitarë. Ka shumë artikuj të botuar në Prishtinë dhe që janë reflektuar në lajme dhe intervista në mënyrë të drejtpërdrejtë që një person shqiptar në Gjermani është takuar dhe kontaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe thuhet që ky person në Gjermani është kërkuar të gjejë 4 dëshmitarë katolikë kundër Thacit. Ai citohet të ketë thënë që mua më është kërkuar të gjejë dëshmitarë katolikë kundër Thacit. E kuptoj që ZPS-ja ka përdorur ndërmjetës në Prishtiën për të gjetur dëshmitarë, megjithatë kjo është ndërhyrje në drejtësi, për të gjetur dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër klientit tim. Dua ta ngrejë këtë, dhe t’ua bëj me dije, kjo është ndërhyrje në drejtësi. Për të qenë i sinqetë nuk kam asnjë vend tjetër për të thënë këto përveç se në trupin gjykues,. Gjykata dhe unë si avokat kërkoj disa shpejgime nëse janë kërkuar dëshmitarë nga dikush që është i pranishëm në këtë sallë gjyqi. Do ta bëjmë edhe me shkrim”, ka thënë Keohe.
Avokati foli edhe për akuzat nga Rusia për trafikim organesh për UÇK-në.
“Janë disa artikuj të Maria Zaharova që janë ruajtur në median evropiane, duke thënë se një prijës është përfshirë në trafikim organesh në këtë proces gjyqësor. Kjo është false, këto media janë paragjykues ndaj të akuzuarve. Nëse hetimi që ka të bëj me trafikim organesh, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë, se nuk ka asgjë ndaj të akuzuarve që i lidhin me trafikimin e organeve. Kjo duhet të bëhet e qartë nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, por pavarësisht qëllimit, ata po përpiqen që të thonë që zotërinjtë që janë të akuzuar këtu janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve gjë e cila nuk është e vërtetë”, deklaroi avokati.
Dëshmitari 16 pritet të merret në pyetje gjatë gjithë javës